Labinot Haziri emërohet trajner i 2 Korrikut

13 shkurt 2025 | 16:32

Vetëm një ditë pasi u konfirmua largimi i trajnerit Besim Ademi nga skuadra e 2 Korriku nga Prishtina, kryeqytetasit kanë zyrtarizuar trajnerin e ri, i cili është Labinot Haziri. Ky i fundit pjesën më të madhe të karrierës si futbollist dhe trajner e ka kaluar në klubin e 2 Korrikut.

Trajneri Haziri, i rritur si futbollist e trajner në klubin kryeqytetas të 2 Korrikut, vjen në ekipin senior pas sukseseve të njëpasnjëshme në futbollin e të rinjve në Kosovë, duke u shpallur kampion i Kosovës me moshat U13, U15, U17 dhe U19, e duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm me ekipin junior në garat e prestigjiozes evropiane, UEFA Youth League, ku arriti që t’i kaloi dy raunde e t’i fitoj katër nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara.

“Me vendim të Bordit Drejtues, nga 2 Korriku afrimin e trajnerit të ri e konfirmon drejtori Gjeneral, Shaban Baholli, i cili mes tjerash e vlerësoi shumë faktin që një trajneri perspektiv i është ofruar një mundësi e tillë. Labinot Haziri, i lindur më 01.01.1992, ka plot dhjetë vite që angazhohet si kryetrajner, duke arritur kësisoj përvojë shumë të vlefshme në sportin e futbollit, gjë të cilën do të angazhohet që ta transmetoj edhe në futbollin senior”, thuhet në njoftimin e 2 Korrikut. Ndërsa në anën tjetër trajneri me perspektivë në futbollin kosovar, është shprehur i lumtur me mundësinë dhe besimin e dhënë.

“Për mua do të thotë shumë dhënia e mundësisë që ta drejtoj ekipin senior të klubit të 2 Korrikut, klub në të cilin e kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime si futbollist por edhe si trajner. Jam i vetëdijshëm për sfidat që na presin, mirëpo me besim të plotë tek skuadra dhe bashkëpunëtorët do t’i arrijmë objektivat në fund të këtij sezoni”, ka thënë Haziri, i cili të enjten paradite e ka zhvilluar stërvitjen e parë me ekipin senior të 2 Korrikut.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…