Lakersat mposhtin Spursat, Dallasi fiton derbin kundër Houstonit

27 tetor 2021 | 12:22

Los Angeles Lakers regjistruan fitoren e dytë radhazi në NBA në transfertën ndaj San Antonio Spurs. Në “AT&T Center” në Texas kalifornianët fituan me rezultatin 125-121 pas kohës shtesë, të udhëhequr nga dyshja Anthony Davis-Rusell Westbrook.

Ish-lojtari i Pelicans ishte më i miri mbi parket për Lakersat me 35 pikë, 17 rebound dhe 4 asistime ndërkohë që Westbrooku i transferuar gjatë kësaj vere te skuadra e Frank Vogel pak nga pak po gjen formën e tij më të mirë, teksa spikati me 33 pikë 10 rebound dhe 8 asistime. Suksesin e dytë radhazi e gjeti edhe Dallas Mavericks që fitoi derbin teksan ndaj Houston Rockets me shifrat 116-106 për meritë edhe të Luka Donqiq.

Slloveni u shfaq në lartësinë e duhur duke kontribuar me 26 pikë 14 rebound dhe 7 asistime në një ndeshje të cilën Dallasi e zgjidhi në favor të saj vetëm në pjesën e dytë pasi në fraksionin e parë të lojës, Houstoni ishte më mirë.

Për Rockets kjo ishte disfata e tretë në katër takime gjatë këtij sezoni që ashtu si i kaluari parashikohet i vështirë dhe më shumë luhatje. Në mbrëmjen e NBA buzëqeshi edhe Utah Jazz që kaloi me shifrat 122-110 Denver Nuggets në një sfidë që deri në periodën e katërt ishte në baraspeshë totale.

Dy basketbollistët që spikatën më shumë në suksesin e skuadrës nga Salt Lake City ishin francezi Rudy Gobert me 23 pikë dhe 16 rebound dhe Donovan Mitchell me 22 pikë. Vijon momenti i shkëlqyer për Jazz që i kanë fituar të 3-ja ndeshjet e këtij sezoni ndërkohë që Nuggets pësuan humbjen e dytë rresht teksa nuk u mjaftuan as 24 pikët e Nikola Jokiq.

Nuk di më të ndalet Golden State Warriors që mori fitoren e 9-të rresht mes sfidave të pre-season dhe sezonit të rregullt, teksa arriti të triumfonte me shifrat 106-98 në transfertën ndaj Oklahoma City Thunder. Stephen Curry me 23 pikë 6 rebound dhe 4 asistime ishte më i miri mbi parket për skuadrën nga San Francisco. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një qark i trurit që shtyp informacionin shqisor shpërqendrues mban…