Lakersat pësojnë humbjen e katërt radhazi

25 shkurt 2021 | 14:31

Utah Jazz tregon forcën e saj edhe përballë kampionëve në fuqi të NBA. Skuadra nga “Salt Lake City” mposhti pa shumë vështirësi Los Angeles Lakers me rezultatin e thellë 114-89.

Një ndeshje e dominuar nga kryesuesit e Konferencës së Perëndimit të cilët e panë veten në avantazhin e plotë 16 pikëve që në fundin e pjesës së parë. Për Lakersat vijon momenti negativ pasi kalifornianët pësuan humbjen e 4-t rresht. Mungesat e Antony Davis i cili ka dëmtuar tendinën e akilit por edhe të gjermanit Denis Schroder po ndihen shumë te skuadra e Frank Vogel.

LeBron James edhe këtë herë nuk arriti të bënte asgjë i vetëm teksa e mbylli sfidën me 19 pikë, 4 rebound dhe 4 asistime. Te Utah më të mirët mbi parket rezultuan Jordan Clarkson ish-lojtar i Lakersave dhe francezi Rudy Gobert me nga 18 pikë secili ndërkohë që një paraqitje të mirë bëri edhe kroati Bogdanoviq, raporton “Supersport”.

Moment pozitiv edhe për Golden State Warriors që mori fitoren e dytë rresht, pasi mposhti brenda në Indianapolis Indiana Pacers me rezultatin 111-107. Stephen Curry ishte ai që udhëhoqi skuadrën nga “San Francisco” drejt suksesit të 18-të sezonal në 33 ndeshje, me yllin e Warriors që spikati me 24 pikë, 8 rebound dhe 8 asistimee.

Në krahun tjetër Indianës nuk i mjaftuan 46 pikët e koleksionuara në total nga dyshja Brogdon-Sabonis. Kanë rigjetur formën ideale edhe nënkampionët e edicionit të kaluar të NBA, Miami Heat të cilët triumfuan në American Airlines Arena përballë Toronto Raptors me shifrat 116-108. Jimmy Butler ishte thjeshtë fantastik për Miami teksa koleksionoi në total 27 pikë 8 rikuperime poshtë tabelës dhe 10 pasime vendimtare.

Te Raptors të cilët pësuan humbjen e 17 sezonale spikatën Kyle Lowry dhe VanVleet me nga 24 pikë secili. Për Miami Heat kjo ishte fitorja e 4-t rresht, por pavarësisht kësaj skuadra nga Florida për momentin pozicionohet në vendin e 10-të në Lindje dhe është jashtë zonës “play-off”. Vijon rënia e lirë për Boston Celtics që u mposht në Georgia nga Atlanta Hawks me rezultatin 127-112. Italiani Danilo Gallinari me 38 pikë dhe talenti Trae Young me 33 pikë ishin dy basketbollistët që udhëhoqën Atlantën drejt kësaj fitoreje të rëndësishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar lidhur me çështjen…