Lakersat vazhdojnë shkëlqimin në NBA, fitojnë edhe Clippersat

14 janar 2021 | 15:54

Los Angeles Lakersi vazhdon ecurinë e shkëlqyer në këtë sezon të NBA-së. Kampionët në fuqi triumfuan lehtësisht në transfertën ndaj Oklahoma City Thunderit me rezultatin 128-99, duke regjistruar fitoren e 4-t radhazi dhe të 10- në 13 takime.

I përhershmi LeBron James ishte më i miri mbi parket për kalifornianët pasi koleksionoi në total 26 pikë, 6 rebounde dhe 7 pasime deçizive, ndërkohë që Anthony Davis bëri një punë të mirë me 18 pikë dhe 7 rikuperime poshtë tabelës.

Oklahoma, ndërkohë, pësoi humbjen e 6-të në 11 ndeshje. Po rigjen formën optimale edhe skuadra tjetër kaliforniane Los Angeles Clippers që mori fitoren e radhës pasi mposhti në “Staples Center” me rezultatin 111-106 New Orleans Pelicans. Me këtë sukses Clippers u ngjitën në vendin e dytë në konferencën e Perëndimit me 8 fitore dhe 4 humbje. Më i miri mbi parket për kalifornianët ishte Kawhi Leonard me 28 pikë, 6 rebounde dhe 9 asistime, ndërsa Paul George kontribuoi me 27 pikë.

Të pamjaftueshme për Pelicansin, 37 pikët e kanadezit Alexander-Walker. Arriti suksesin e 7-të sezonal Brooklyn Nets që triumfoi në derbin ndaj New York Knicksit me rezultatin 116-109 për meritë edhe të Kevin Duranti, autor i 26 pikëve.

Gjithsesi në Madison Square Garden, pikëshënuesi më i mirë ishte Julius Randle i Knicksit, por paraqitja e ish-lojtarit të Lakersit nuk i mjaftoi skuadrës nga Molla e Madhe. Nuk ndalet më Milwaukee Bucks që falë një triple-double të grekut Giannis Antetokounmpo triumfoi edhe në transfertën ndaj Detroit Pistons me rezultatin 101-110. Antetokounmpo spikati me 22 pikë, 10 rikuperime poshtë tabelës dhe 10 pasime vendimtare.

Falë një super Luka Donqiqi mori suksesin e 4-t rresht Dallas Mavericksi që triumfoi në transfertën ndaj Charlotte Horntes me rezultatin 104-93. Ylli slloven i skuadrës teksane shkëlqeu me 34 pikë, 13 rebounde dhe 9 asistime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vatikani ka konfirmuar që Papa Françesku dhe paraardhësi i tij…