Lansohet aplikacioni mobil për prezantimin e të dhënave mbi cilësinë e ajrit

18 mars 2019 | 14:29

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me shefin e Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigji Brusa, të hënën kanë lansuar aplikacionin mobil për prezantimin në kohë reale të të dhënave mbi cilësinë e ajrit në Kosovë.

Në një konferencë për media, ministri Matoshi ka thënë se ky aplikacion do t’u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shohin cilësinë e ajrit në kohë reale.

“Më qëllim të informimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi cilësinë e ajrit nga stacionit monitoruese që posedojmë, me përkrahjen e Komisionit Evropian, sot po lansojmë aplikacionin për Android dhe IOS, përmes të cilit do të paraqiten të dhënat për cilësinë e ajrit, në kohë reale. Krahas masave dhe veprimeve që po ndërmarrim në reduktimin e ndotjes së ajrit, ky aplikacion do të ofrojë informata mbi nivelin e ndotjes dhe pasojat në shëndet”, ka thënë Matoshi.

Ai ka bërë me dije se qytetarët do të mund të kyçen në aplikacion duke klikuar në stacionet prej nga do të informohen për cilësinë e ajrit. “Ne do të mundohemi si ministri të angazhohemi edhe më shumë për të rritur cilësinë e ajrit në vendin tonë”, ka thënë ai.

Ministri Matoshi ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetje në krijimin e këtij aplikacioni si dhe donatorët tjerë si MCC-në, për rehabilitimin e rrjetit ekzistues për monitorimin e cilësisë së ajrit, si dhe softuerin e përhershëm për prezantimin e të dhënave për cilësinë e ajrit, parashikimin e cilësisë së ajrit dhe ndikimin në shëndet.

Po ashtu ministri ka falënderuar edhe JICA Japoneze e cila është duke bërë studimin për identifikimin e ndotësve të ajrit si dhe UNDP-në me të cilët MMPH-ja është duke përgatitur një fushatë vetëdijesuese për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Nga ana tjetër shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigji Brusa, ka thënë se përmes këtij aplikacioni, qytetarët e Republikës së Kosovës mund ta shohin cilësinë e ajrit në mënyrë transparente.

“Hapi i parë është të shohim se çka po ndodh me cilësinë e ajrit dhe çfarë ajri po thithim. Natyrisht që tani është me rëndësi që qeveria të ndërmarrë masa që ta përmirësoj kualitetin e ajrit në mënyrë që t’i eliminojnë burimet e ndotjes”, ka thënë Brusa. Sipas tij, BE-ja është duke investuar në Kosovë në ndërrimin e filtrave të ‘Kosovës B’ në zgjerimin e Ko-gjenerimit në mënyrë që të reduktohet shfrytëzimi i qymyrit në Prishtinë.

Ndërsa Shkumbin Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka prezantuar formën e përdorimit të aplikacionit i cili mund të shkarkohet në telefonat Android dhe IOS.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit…