Lansohet granti i performancës së komunave

09 tetor 2018 | 14:48

Është lansuar granti për performancën e komunave, i cili është organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ku përfituese nga ky program për vitin 2019 janë 19 komuna.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, ka deklaruar se përmbushja e 14 kritereve të performancës e bën më të mirë jetën e qytetarëve.

“Jemi shumë të kënaqur se në kuadër të fondit stimulues të MAPL-së për vitin 2018 janë përzgjedhur 11 komuna përfituese të grantit prej 900 mijë euro, dhe këtë vit në bazë të treguesve të vitit 2016 përmes grantit të performancës dhe financimit në mes MAPL-së dhe SDC Demos, 25 komuna kanë marr mjete në shumë prej 2 milionë e 25 mijë euro. Këtë vit kemi vlerësuar të arriturat e komunave në bazë të treguesve për vitin 2017 për ndarjen e granteve në vitin 2019 dhe janë përzgjedhur 19 komuna shfrytëzuese në vlerë prej 2 milionë e 250 mijë euro”, ka thënë Todosijeviq.

Edhe Hyzer Gashi nga Ministria e Financave, ka deklaruar se financimi i komunave dhe realizimi i mirëfilltë i buxheteve të tyre ndikon në jetën e qytetarëve.

Ai ka thënë se kjo ministri është e përkushtuar në financimin e tyre, duke shtuar se  komunat përmes këtij granti po stimulohen për një performancë më të mirë në qeverisjen lokale.

“Shumë e qëlluar është fushëveprimtaria e këtij granti që përmes stimulimit financiar tash nxisim, përkrahim komunat, përmirësojmë performancën e tyre në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimin e transparencës. Në fakt pikërisht këto sfera të angazhimit janë në masë të madhe përcaktuese në zhvillimin e përgjithshëm të secilës komunë, prandaj edhe përkrahja e tyre krijon dhe do krijoj efekte pozitive në qeverisjes lokal”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se në bazë të mundësive buxhetore do të rrisin mbështetjen financiare për Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe për komunat.

Kurse ambasadori zviceran, Jean-Hubert Lebet, ka deklaruar se menjëherë pas luftës Zvicra ka filluar ndihmën ndaj Kosovës, duke përfshirë disa lloje të ndihmave me ndikim në komuna

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Fjalorin enciklopedik të Kosovës, të botuar këto ditë nga…