Lansohet platforma “superpuna”, synohet punësimi i 10 mijë të rinjve

06 shkurt 2023 | 13:53

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë lansimin e platformës “superpuna”, e cila mbështetë sektorin privat në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e moshës 18-25 vjeç.

Subvencioni i qeverisë do të jetë në nivelin 264 euro/muaj, për 6 muaj me radhë, ndërsa punëdhënësi mund të shtojë edhe mbi këtë shumë.

Kurti ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai në vazhdimësi ka hartuar e përkrahur politika të cilët synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës.

Kryeministri ka theksuar se lansimi i platformës “superpuna” angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është njëkohësisht edhe dhe konkretizim i përkushtimit të qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.

“Vitin e kaluar, kemi zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar. Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës ‘Qeveria për Familjet’, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar. Nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 euro pra në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për 6 muajt e parë të punësimit”, ka thënë Kurti.

Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, Kurti ka thënë se qeveria po ndërton një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit.

“Ndërkohë, po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori. Rininë e kemi aset të së tashmes. E kemi edhe potencial të së ardhmes. Kujdesi, vëmendja dhe investimi ynë në ta sot, është angazhimi, kontributi dhe investimi i tyre në vendin tonë nesër. Më lejoni që të falënderoj të gjitha ata të cilët kanë kontribuar dhe ndihmuar në finalizimin e kësaj ndërmarrjeje, veçanërisht ambasadën e zvicerane në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se qeveria synon të punësojë rreth 10 mijë të rinj brenda vitit të parë të lansimit të platformës “superpuna”.

Ai ka ftuar të gjithë punëdhënësit që të përfitojnë nga kjo mundësi, duke shpallur pozitat e lira përmes platformës “superpuna”. “I tërë procesi është objektiv, dhe i automatizuar”, ka theksuar ministri Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës iu ka bërë…