​Studentët marsh kundër themelimit të Asociacionit

06 shkurt 2023 | 13:52

Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që pavarësisht bindjeve të tyre politike t’u bashkohen në marshin kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili do të mbahet më 15 shkurt.

Ky marsh, i cili do të nisë nga ora 16:00 para Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, ka moton “Bashkë kundër Asociacionit”.

Nënkryetarja e Parlamentit Studentor, Albë Lala u shpreh se edhe 24 vite pas luftës aspiratat e Serbisë karshi territorit të Kosovës ende nuk janë shuar.

Ajo tha se në ditën kur edhe festojnë 53-vjetorin e themelimit të UP-së do të marshojnë kundër Asociacionit i cili, sipas saj, nuk avancon të drejtat e serbëve, por instrumentalizon serbët në Kosovë.

“24 vite pas luftës së fundit dhe 15 vite pas shpalljes së pavarësisë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës vazhdojnë të mbesin cak i Serbisë, kjo e fundit ende nuk i ka shuar aspiratat për territorin tonë. Serbia në raport me shqiptarët ka të kaluar kriminale vazhdon të ketë të tashme kriminale duke ndërtuar strategji për një të ardhme kriminale. Andaj, ne fuqishëm besojmë se mobilizimi e organizimi studentor ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme është gjithmonë i domosdoshëm për të kundërshtuar dhe parandaluar një të keqe që po provohet të instalohet në Kosovë… Se Asociacioni njëetnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës tashmë është veçse e qartë. Ky Asociacion nuk avancon të drejtat e serbëve por instrumentalizon serbët në Kosovë dhe ndikon në avancimin e Serbisë në Kosovës”, tha ajo.

Lala tutje ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovë që pavarësisht bindjeve të tyre politike tu bashkohen në marshin e organizuar përmes të cilit kundërshtohet krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në vend që të flasim për marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes të Kosovës dhe Serbisë ne flasim vetëm për Asociacion i cili cenon integritetin territorial dhe paqen në vend. Prandaj, të mërkurën e 15 shkurtit përveçse kremtojmë themelimin e UP-së marshojmë bashkë kundër Asociacionit. Me këtë rast, Parlamenti Studentor i UP-së fton të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht bindjeve politike që të na bashkohen në marshin kundër Asociacionit një etnik që është në dëm të vendit tonë“, theksoi Lala.

Edhe Bleron Beka, nënkryetar Parlamentit Studentor të UP-së, kërkoi që përmes këtij marshi të tregohet vendosmëria dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare të parandalojmë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Bëjmë thirrje për përfaqësuesit vendorë dhe ndërkombëtarë që funksionojnë në Republikën e Kosovës që të parandalojnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe që ndërtohet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës… Bëjmë thirrje tek qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në marshin e 15 shkurtit dhe të tregojmë vendosmëri dhe të përçojmë mesazh të qartë tek instancat relevante në Kosovës. Nëse cenohet kushtetutshmëria e vendit atëherë vihet në dyshim përpjekja e kamotshme për paqe dhe bashkëjetesë mes etnike. Kosova multietnike është kriter thelbësor për zhvillim të mëtutjeshëm, zhvillim ky që minohet nga një Asociacion një etnik”, theksoi Beka.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur 6 kushtet e tij për themelimin e Asociacionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…