Lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në komunën e Mitrovicës

20 shtator 11:31

Të premten zyrtarisht u lansua programi i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Mitrovicës, program ky që po bëhet i mundur si rrjedhojë e suksesit të programit në Prishtinë dhe Prizren. Ngjarja u realizua me qëllim të prezantimit të programit mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Mitrovicë, që është pjesë e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit në Kosovë.

Ky program do të mundësojë ofrimin e Pap testit për rreth 250 gra nga Komuna e Mitrovicës, gjatë fazës së parë të implementimit, gjegjësisht deri në fund të vitit 2019. Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Mitrovicë, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH-së dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor – Laboratorit të Patologjisë.

Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të kujdesit parësor, palët synojnë po ashtu që të iniciojnë diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit.

Ky program, përmes Pap testeve për gratë dhe vajzat nga Komuna e Mitrovicës do të mundësojë zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të…