Largimet e trajnerëve dhe humbjet e çuditshme të kombëtares shqiptare

26 shtator 2022 | 16:28

“Dashuria” e Armand Dukës me trajnerët e huaj në këto 20 vjet që drejton FShF-në ka pasur thuajse të njëjtin stil edhe kur palët janë ndarë.

Ka qenë “deja vu” me largimet e tyre, pasi në mes kanë qenë humbje të shoqëruara me mister dhe të çuditshme, edhe pse në futboll gjithçka mund të ndodhë. Situata është komplikuar në momentin kur kanë folur trajnerët dhe mënyra se si FShF-ja përgatiste terrenin për t’i larguar. Nga Bepe Dosena, tek Oto Bariç, Arie Haan dhe Josip Kuzhe e deri tek i fundit: Christian Panucci.

Por, tashmë të njëjtin fat mund të ketë edhe Edi Reja, i cili gjithsesi është në fund të kontratës dhe pas dështimit për ta kapur vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve, natyrisht që situata nuk është aspak në favor të tij për një rinovim. Duka është treguar i kujdesshëm në deklarata që ka bërë për Rejën, por që gjithsesi ka lënë të kuptohet se të ardhmen nuk e shikon me italianin, i cili më 10 tetor mbush 77 vjeç.

Dosena

Italiani njoftoi FShF-në më 11 nëntor 2002 nëpërmjet një letre drejtuar presidentit Duka, se dorëhiqej nga kombëtarja me motivacionin e mospërshtatjes me mjedisin shqiptar përreth ekipit. Duka deklaronte në atë kohë se nuk ia kishte pranuar dorëheqjen trajnerit Dosena, duke e bërë shkaktar të prishjes së planeve të kombëtares. Italiani u largua pak javë pasi Shqipëria kishte humbur 4-1 në Rusi.

Bariç

Humbjet 2-4 në “Qemal Stafa” me Bjellorusinë dhe turpërimi 6-1 në Rumani detyruan të ndjerin Oto Bariç të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Shqipërisë në nëntor të vitit 2007. Kroati dha disa deklarata të forta për mënyrën se si shkuan ndeshjet e fundit.

Haan

Holandezit iu përgatit terreni për ta shkarkuar pas barazimit 0-0 me Maltën më 11 shkurt 2009. Më pas FSHF-ja zyrtarizoi largimin e trajnerit pas humbjes 3-0 në Danimarkë më 1 prill 2009.

Kuzhe

I ndjeri kroat u largua pas humbjes së çuditshme 2-1 ndaj Luksemburgut në transfertë. Në shtator të vitit 2011 u tha se ishte ndarje konsesuale, teksa FShF-ja e kishte marrë prej kohësh vendimin.

Panucci

Largimi i italianit ndodhi pas humbjes 0-2 me Turqinë në “Loro Boriçi”, më 22 mars 2019, por vendimi për shkarkimin ishte marrë prej kohësh, për më tepër në tribunë në atë ndeshje ishte Edi Reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni i Gjyqtarëve, në krye me Përparim Hasanin, në mënyrë…