Latifi: Krijimi i zonës ekonomike në Rahovec, hap i rëndësishëm për ekonominë

29 qershor 2018 | 13:54

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur të premten konferencë për media pas marrjes së vendimit për aprovimin e kërkesës nga Qeveria e Republikës së Kosovës për krijimin e zonës ekonomike, zonë kjo që do të krijohet mbi fshatin Opterushë.

Lidhur me ketë vendim për krijimin e zonës ekonomike, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se ky vendim është ndër vendimet më të rëndësishme për perspektivën ekonomike të kësaj komune.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë po përmbushet një kërkesë e kamotshme e bizneseve të Rahovecit për një hapësirë të lirë ku do të zhvillohen veprimtari të ndryshme ekonomike.

“Komuna e Rahovecit, si zonë e rëndësishme agrare, është një nga zonat që sjellin përfitime financiare për banorët e zonës dhe për buxhetin e Republikës së Kosovës, prandaj konsiderojmë se, krijimi i një zone të lirë ekonomike është hap i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë në përgjithësi. Investimet në këtë zonë agro-industriale janë të një rëndësie të veçantë, prandaj ju bëjmë thirrje Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe ministrive të tjera që kanë synim përmirësimin e gjendjes ekonomike e sociale në vend, që të bashkëpunojnë me Komunën e Rahovecit për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në këtë Zonë Ekonomike dhe ofrimin e hapësirave për bizneset e komunës së Rahovecit e më gjerë”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se finalizimi i një synimi 17-vjeçar, përbën arritje të madhe për qytetarët e Komunës së Rahovecit.

Latifi ka thënë se Komuna e Rahovecit në afat të shkurtër kohor do të hartojë planin e veprimit dhe do të zhvillojë procedurat e nevojshme në mënyrë që zona ekonomike të jetë e qasshme për bizneset e interesuara.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besart Berisha largohet nga Melbourne Victory dhe nga futbolli australian.…