Latifi thotë se do të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, me të cilin ka biseduar për shqetësimet dhe nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për padrejtësitë e mëdha dhe diskriminimin sistematik që u bëhet atyre nga shteti dhe institucionet qendrore e lokale të Serbisë.
Latifi ka bërë me dije se në këtë takim ka shprehur gatishmërinë që bashkërisht të kujdesemi dhe të përpiqemi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave që po u shkelen shqiptarëve në këtë pjesë.
“Kënaqësi e veçantë të pres në një takim të përzemërt dhe vëllazëror, z. Nevzad Lutfiun, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, që jetojnë në trojet e veta autoktone, ku padrejtësisht dhe dhunshëm vazhdojnë t’u mohohen dhe shkelen të drejtat kombëtare dhe ato individuale nga Serbia. Me z. Lutfiu folëm për shqetësimet dhe nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për padrejtësitë e mëdha dhe diskriminimin sistematik që u bëhet atyre nga shteti dhe institucionet qendrore e lokale të Serbisë. Shpreha gatishmëri që bashkërisht të kujdesemi dhe të përpiqemi për mbrojtjen e qenies sonë kombëtare, për realizimin e të drejtave që po u shkelen, për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, të artit, të kulturës dhe të identitetit shqiptar, si dhe për kthimin e tyre në trojet e veta. E përgëzoj z. Lutfiu për kontributin dhe angazhimin e palodhshëm, si dhe i uroj punë të mbarë!”, ka thënë pas takimit kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.



