LDK e propozoi Vjosa Osmanin, Nagavci: Nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret
Arbërie Nagavci, shefe e GP të VV’së ka deklaruar se partia e saj ka bërë hap për tejkalimin e ngërçit politik në zgjedhjen e presidentit, duke propozuar që opozita të paraqesë tre kandidatë unifikues jashtë politikës, raporton GazetaBlic.
Ajo ka thënë se deri më tani nuk është dorëzuar asnjë propozim zyrtar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht deklarimeve publike.
Nagavci ka bërë thirrje që opozita të dorëzojë emrat konkretë dhe nënshkrimet e deputetëve të saj, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në tejkalimin e krizës dhe sigurimin e stabilitetit institucional në Republika e Kosovës.
E plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar.
Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues.
Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton.



