LDK tradhton opozitën, nuk i jep nënshkrimet për ta dërguar në Kushtetuese presidenten Osmani

18 nëntor 2023 | 21:19

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i doli krah dy partive tjera opozitare, PDK’së e AAK’së për ta dërguar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin në Gjykatën Kushtetuese për mosdekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i shtetit.

Nënshkrimeve të kolegëve të PDK’së e AAK’së nuk iu bashkua partia në krye me Lumir Abdixhikun.

Për tërheqjen e LDK’së ka folur avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu.

Fetahu ka thënë se LDK është tërhequr në mënyrë të pashpjegueshme, ndonëse kishte premtuar publikisht se do t’i mbështeste.

Ai tha se rastin për dërgim në Kushtetuese e ka përgatitur në detaje.

“Në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar të Grupit Parlamentar të PDK-së, mund t’ju konfirmoj se brenda dhjetë dite nga akti i mosdekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, e kam përgatitur rastin për Gjykatë Kushtetuese dhe atë mbi dy baza: Vlerësimi nëse Presidentja e Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, me nxjerrjen e aktit të mosdekretimit, si dhe Vlerësimin e pajtueshmërisë më Kushtetutën të aktit të mosdekretimit”, ka thënë Fetahu për Nacionale.

Avokati Fetahu theksoi se në mungesë të vullnetit politik ka dështuar sigurimi i 30 nënshkrimeve të deputetëve, të cilat janë të domosdoshme për të dërguar një çështje në Gjykatën Kushtetuese.

“Fatkeqësisht, në mungesë të vullnetit, dështoi sigurimi i tridhjetë nënshkrimeve të nevojshme për të ngritur çështjen nëse Presidentja e Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës. Ndërkaq, ende ka afat për të parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të mosdekretimit, meqë kjo e fundit mund të ngritet brenda gjashtë muajve. Nuk më takon mua të jap vlerësime politike se pse një grup parlamentar edhe pas premtimit publik për dhënien e nënshkrimeve, u tërhoq në mënyrë të pashpjegueshme”, është shprehur ai.

Tutje, Fetahu tha se është fatkeqësi’ mosdërgimi i këtij rasti në Kushtetuese.

“Por, mund të them se është fatkeqësi humbja e një mundësie kushtetuese të tillë, për të mbrojtur rendin kushtetues nga njëra anë, por edhe për të ri-konfirmuar qartë edhe përkufizimin e shtrirjes së kompetencës dhe rolit të institucionit të Presidentit në raport me emërimet gjyqësore”, deklaroi Fetahu.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit në bazë të Kushtetutës kanë mundësi të apelojnë një vendim të presidentit në Gjykatën Kushtetuese përmes sigurimit të 30 nënshkrimeve, mirëpo kanë afat vetëm 31 ditë pas atij vendimi.

Kujtojmë se, më 17 tetor, presidentja Osmani ka njoftuar se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak siç ka thënë shkeljeve të shumta ligjore.

Megjithatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës më 1 nëntor ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Gjeneral Rrustem Mustafa “Remi”,…