Lëvizja Popullore e Kosovës shkaktoi ndryshim në vetëdijen kombëtare

16 janar 2022 | 18:54

Shkruan: Bedri Islami

Nesër bëhen 40 vite nga themelimi i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e saj dhe, në një kohë të caktuar , drejtuesi politik i strukturës çlirimtare, thellësisht irredente dhe atdhedashëse.

Në një bashkëbisedim me mikun tim, Ismet Sylejmani, i shkrova rradhët e mëposhtëm, që po i përcjell për të gjithë miqtë e mi:

Tungjatjeta, mik i nderuar!

Si e kam shkruar shpesh herë, historia e Kosovës nuk mund të përcaktohet pa tri gjëra themelore, të cilat kanë në thelb të njëjtën gjë: Lëvizjen Popullore të Kosovës, Lëvizjen Studentore dhe, mbi të gjitha, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Thelbi i tyre është Lëvizja. Përcaktimi i tyre është Lëvizja. Korifejtë e Lëvizjes janë nderi i Kosovës. Liderët e saj, në vite të ndryshme, mbajtën zjarrin e atdhedashurisë, kur të tjerët po e shuanin atë.

Ajo ringriti vetëdijen kombëtare, si organizatë, dhe, përmes krijesave të saj.

Ringjalli shpresën. Riktheu besimin dhe bëri të mundur Kosovën e mëvetsishme.

Pa këtë Lëvizje dhe njerëzit e saj gjërat do të ishin ndryshe. 90 për qind e përmendoreve të Kosovës janë pikërisht për djemtë e vajzat e Lëvizjes, për ata që bartën idetë e saj dhe i transferuan te njerëzit, ashtu si mundën.

Thelbi i Lëvizjes nuk ishte ideologjia. As partia si qëllim në vetvete.

Ajo shikoi më gjërë se kaq, përmes një vizioni që ishte, sa i domosdoshëm e jetik, aq edhe i perspektivës.

ASNJË organizatë tjetër në Kosovën e 100 viteve nuk kishte suksesin e saj.

Asnjë organizatë tjetër nuk arriti suksesin e saj. Askush tjetër nuk u bë partnere me NATO-n, shtetet perëndimore, askush tjetër nuk mblodhi në një tryezë gjithë fuqitë botërore në Rambuje për të vendosur për të ardhmen, dhe, e rëndësishme, për herë të parë në historinë e saj, Aleanca më e madhe Ushstarake e Botës sulmoi një shtet të pavarur, sepse ishte agresor fashist, dhe se po bënte gjenecid në popullin fqinj.

Kjo nuk ndodhi as në Luftën e Bosnjes, as në Kroaci.

Për të folur për Lëvizjen duhen njerëz që, jo vetëm i dinë ngjarjet, por edhe dinë t’i shpalosin.

Jo qetësisht, por me ndjenjë, sepse punët e Lëvizjes, të mëdha dhe historike, nuk janë bërë qetësisht, por me ndjenjë dhe pasion, jo me delikatesë, por me vullnet dhe seriozitet momental.

Lëvizja bëri të mundur që të mos degradohen vlerat, dhe këtë e bëri jo përmes konferencave të shtypit, por përmes luftës, gjakut dhe vizionit. E themeluar në 17 janar 1982 ajo vulosi me jetë atë çfarë do të ishte themeli i së ardhmes.

Janë të panumërt pjestarët e kësaj Lëvizje që kanë bërë vite të gjata burgimi në burgjet serbe, ashtu si të panumërt janë heronjtë e saj!

Ismail Kadare do të shkruante se :

” Kur populli i Kosovës u gjend kështu, grigjë e pambrojtur përpara kasapit serb, UÇK-ja u bë DALZOTËSE  e saj.

Disa mund të mos jenë në një mndje me disa ide të saj, me stilin e deklaratave, me mënyrën e nderimit, etj etj, por askush s’mund t’ia heqë dot KURRË emrin e madh ” DALZOTS”.”

Lëvizja, në vitet epikë 1998 – 1999 në Kosovë, dëshmoi se populli shqiptar, pavarësisht nga gabimet që ka bërë, pavarësisht nga cenet, nga keqkuptimet, ruajti në thellësitë e vete aftësi të pashterrshme regjenerimi.

Gëzuar miqtë e mi 40 vjetorin e Themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndër masakrat më të rënda në Kosovë të kryera nga…