“Libri i luftës”, sirtar i arkivit të luftës

05 mars 2019 | 15:19

Muhamet Mavraj, redaktor i librit

Të tjerët mund të mos e besojnë por, ne shqiptarët, për disa çaste pikante të rrjedhës historike nuk kemi as faktografi të plotë, as gjysmëfotografi. Edhe pse teknika ishte zbuluar shumë dekada më përpara, kurrë s’kemi pasur fotografi të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, asnjë pamje brenda mbledhjes gjithëkombëtare, as momentin e ngritjes së flamurit kombëtar. Plot ngjarje pasuese dramatike janë sikur të mos kishin ndodhur kurrë. Fuqinë e fotografisë nuk e mposhtë lehtë as përshkrimi më i saktë.
Në fund të shekullit, kur Kosova u ripushtua nga Serbia në termat më të ashpër të pushtimit, pas autonomisë së rrënuar, pasoja e parë ishte nata e gjatë informative. Një hapësirë e ngushtë informimi prej vitit 1990 deri më 1997 ra në dorë të re të monopolit. E vërteta u monopolizua sërish. Brenda Prishtinës dhe jashtë saj, tjetra e vërtetë shqiptare, opozitarja, do të vonohej ose do të deformohej rëndë sikur të mos kishim një grup gazetarësh që gjejnë gjithmonë mënyra për të thyer monopole. Një prej tyre, Nuhi Bytyçi, shfaqet në kohën dhe vendin e duhur edhe më 1997. Po bëheshin shtatë vjet që Kosova kllapitej e topitej nga iluzionet e fitores paqësore kundër Serbisë, thjesht duke shmangur çdo lloj protestimi dhe duke paguar taksa për shtetin serb. Katër njësi ish-jugosllave tashmë ishin bërë shtete të pavarura, ndërsa katër të tjera mbajtën qendrën në Beograd.

Në të vërtetë dy, Serbia dhe Mali i Zi, sepse Kosova dhe Vojvodina ishin vetëm nocione gjeografike brenda Serbisë. Kosova nuk u ftua në Konferencën e Dejtonit në dhjetor të vitit 1995 dhe kështu e pa veten të mashtruar jo nga tjerët, por nga vetvetja. Për sa i përket informimit të opinionit publik, dyvjetëshi dhjetor 1995-shtator 1997 është ndër më agresivët kundër të vërtetës: Prishtina dhe Tirana zyrtare prodhonin vetëm propagandë. Zëri ndryshe ishte zë i dyshimtë. Ndërkohë që Shqipëria u mbyt në luftë civile si pasojë e propagandës vetëshkatërruese, Kosova vuajti një dimër të tmerrshëm dyfish: sa për Shqipërinë, aq për veten. Universiteti i Prishtinës, i vetmi i shqiptarëve të Kosovës, ndonëse vetë në pozitë të rëndë nëpër shtëpi private të Prishtinës, i shpërndarë sa në një periferi në tjetrën, sërish e mori mbi vete barrën e rëndë të artikulimit të ndryshimit të kursit: dhënien fund të heshtjes dhe kalimin në rezistencë vepruese. Korrespondentët shqiptarë që raportonin nga Prishtina për radiot perëndimore me emisione sporadike në gjuhën shqipe kanë qenë një dritare dalëse e zërit studentor, sepse raportonin profesionalisht nga konferencat tona për media në fazën përgatitore në gusht dhe shtator 1997. Por, ato ishin vetëm zë.

Krahas tyre, “Koha ditore” që po i bënte muajt e parë të jetës, dhe vetë gazetës sonë “Bota e re” shkërmoqën pak nga pak atë monopolin jodinjitoz të “Bujkut” e “Qendrës për Informim të Kosovës” dhe të disa periodikëve servilë të politikës së partisë më të madhe. Kur afrohet çasti i demonstratave të 1 tetorit 1997, kreu politik i Kosovës i komplikoi dhe manipuloi zhvillimet në atë mënyrë që, po të ndodhnin manifestime në rrugë, do të shkonte gjaku deri në gju. Gjithçka e ka fundin e vet. Ky instrument i frikës kishte vetëm edhe një natë jetë. Dy gazetarë, Nuhi Bytyçi dhe Qani Mehmedi, dhe një kameraman me ta, Jusuf Rizvanolli, me emisionin e tyre të transmetuar një natë para demonstratës së 1 tetorit në Televizionin Shqiptar, “Brezi i sakrificës dhe i ardhmërisë sonë”, e bënë shpërfaqjen konkrete të qëndrimeve tona studentore dhe na ndihmuan t’ia japim dackën e fundit politikës së vëtëfrikësimit. Kjo politikë, më shumë sesa tanket serbe, ia ruanin qetësinë Serbisë në Kosovë deri atë natë. Kurrë më! Të nesërmen, më 1 tetor 1997, në Prishtinë dhe në gjashtë qendra të tjera të Kosovës ku kishim degë universitare, studentët e Kosovës dëshmuan se e pamundshmja është asgjë.

Kur shpërtheu edhe lufta e armatosur, më lehtë shkohej në Australi sesa në zonat e luftës. Shumë zhvillime dramatike kurrë nuk janë regjistruar, ndërsa ato që i shohim edhe sot nga betimi i ushtarëve tanë dhe paraqitjet e konsoliduara të Ushtrisë sonë Çlirimtare, si për shembull shfaqjen e parë të zëdhënësit, janë fryt i paçmueshëm përgjithmonë i Nuhi Bytyçit dhe kameramanit Abaz Zeka. Që t’i kishim këto nuk ishte kusht mundësia materiale, që ishte për keqardhje të thellë, por gazetaria e guximshme. Këta njerëz kanë rrezikuar kokat e tyre dhe familjet e tyre.

Para demonstratave, pas tyre, para luftës, gjatë luftës dhe më pas, e kam njohur Nuhiun dhe kam bashkëpunuar me të në përkrahje të pakusht dhe të parezervë, për luftën dhe kauzën tonë. Gjithmonë i kisha në mendje imazhet nga greva e minatorëve, ku Nuhiu depërtonte me raportimet e tij televizive dhe padyshim pamjet e konfrontimit të tij me policët më 2 korrik 1990.
Shtatë vjet më vonë, tetë e nëntë, nuk isha vetëm lider studentor që bën demonstrata dhe jep deklarata të hapura për luftën e drejtë, ose vetëm lider që i mbush radhët e ushtrisë me studentë të besueshëm por, njëkohësisht, edhe kryeredaktor i gazetës “Bota e re”. Që barra të jetë edhe më serioze, për të mos thënë skajshmërisht e rrezikshme për mua dhe ata djelmosha e ca vasha ta guximshme, njëkohësisht duhej mbushur me zhvillimet e fushëbetejave edhe faqet e “Zërit të Kosovës” në Perëndim, ku Adnan Asllani dhe Lulëzim Etemaj i dhanë krejtësisht tjetër fuqi asaj gazete që, fundja, ishte organ i Lëvizjes Popullore, krijueses së Ushtrisë Çlirimtare. Pa Nuhi Bytyçin do ta kisha shumë më vështirë. Disa materiale të shkruara, qindra fotografi dhe ato videoxhirime të periudhës 1997-1999 në Prishtinë dhe në zonat e luftës, disa nga të cilat u bënë imazhi i ushtrisë sonë dhe zëri i qartë i zëdhënies, panë dritën në këto dy gazeta dhe në ekranin e ndryshuar të Tiranës falë kontributit të Nuhi Bytyçit.

Disa nxënës trima të “Xhevdet Dodës”, të prirë nga Arianiti (i biri i Nuhiut), po bënin me fuqinë e tyre jo vetëm një faktografi që nderon brezin e tyre në revistën “Gjimnazisti”, por më shumë se kaq. Gjatë kohëve të vështira të ’98-s dhe ’99-s e kam pasur për nder t’u jap ato përkrahje që i kanë kërkuar, ashtu siç përshkruhen në këtë libër. Ata, sikurse tregon edhe Nuhiu: gjimnazistët e ’98-99-s, Arianit Bytyçi, Besfort Rrecaj, Fiton Peja, Kreshnik Gashi, Bujar Sadiku, Albana Rexhepi, Samire Ademaj, Valbona Ruka, Vlora Çitaku, Ermal Sadiku, Kushtrim Berisha dhe nxënës të tjerë të këtij gjimnazi, të prirë nga drejtori Binak Ulaj dhe profesori Sahit Berisha, vinin në demonstratat tona. Kur u thelluam në luftë, disa prej këtyre, në mënyrë të veçantë Arianit Bytyçi, Bujar Sadiku e disa të tjerë hynin edhe në zona të luftës për t’i sjellë në faqet e gazetës së tyre imazhet frymëzuese për të rinjtë.

Libri i Nuhi Bytyçit, i ndërtuar në bazë kronologjike, me një mënyrë të sinqertë të rrëfimit, përshkruan dhe shpjegon jo vetëm në bazë autobiografike, por nëpërmjet saj edhe frymën e kohës, dramën nga afër, fragmente të historisë, ato që i ka përjetuar, parë, regjistruar e (disa) plasuar atëherë në media, që nga nisma në profesionin e gazetarisë e deri pas luftës. Do të jetë libër përkrahës për studiuesit që i qasen periudhës kulminante 1997-1999.
Është për çdo respekt vullneti i Nuhi Bytyçit që ky libër i shkruar bashkë me ilustrimet përcjellëse t’u mbetet si përkujtesë gjeneratave. Ai tregon për shkrimin, zërin dhe fotografitë me të cilat u raportua për një periudhë karakteristike të historisë, kryesisht fatlume, që kulmoi me dëbimin gati tërësisht të pushtuesit serb.

Mesazhi i librit del vetvetiu nga thellësitë e rrëfimeve: për të guximshmit, në paqe apo në luftë, gjithmonë gjenden mënyra për t’i shërbyer një interesi të lartë, të përgjithshëm, ndërsa konformistët gjithmonë dinë të gjejnë arsye për mungesat e tyre. S’është për habi që kjo racë konformistësh pasi të mbarojë lufta dhe të mbretërojë thatësira e lavdisë, të rrëmbejnë dekorata e mirënjohje. Fundi i fundit, për gazetarin profesionist, shumë më i rëndësishëm është nderi pa mirënjohje sesa mirënjohja pa meritë e pa nder.
Gazetari Nuhi Bytyçi hyn në kategorinë e parë, atë të gazetarëve të guximshëm, jokonformistë. Duke i shërbyer me guxim dhe me nder interesit të Kosovës, me dëshmitë e tij të kohës, Nuhiu është në vetvete një sirtar i arkivit të luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj, i ka…