Liga e Konferencës, Egnatia nuk luan vetëm për objektivat e saj

26 nëntor 2026 | 11:51

Egnatia nuk luan vetëm për objektivat e saj në Ligën e Konferencës.

Përballja me Lincoln Red Imps ka rëndësi edhe për futbollin shqiptar, pasi një tjetër fitore e skuadrës rrogozhinase do të sillte pikë të vlefshme për koeficientin e Shqipërisë në renditjen e UEFA-s.

Në një sezon ku rezultatet e klubeve në Evropë përcaktojnë pozicionin e vendit në klasifikimin kontinental, çdo sukses merr një peshë të veçantë.

Shqipëria ka grumbulluar deri tani 12 pikë në sezonin 2026-2027, me një mesatare prej 3.000 pikësh. Në këtë llogaritje përfshihen rezultatet e katër skuadrave që përfaqësojnë vendin në garat evropiane: Egnatia, Dinamo, Elbasani dhe Vllaznia. Rrogozhinasit kanë dhënë kontributin më të madh, me 6 pikë, duke përfaqësuar gjysmën e totalit të grumbulluar nga klubet shqiptare.

Dinamo ka siguruar 4 pikë, ndërsa Elbasani dhe Vllaznia kanë nga 1 pikë. Një tjetër fitore e Egnatias do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në këtë renditje. Sipas sistemit të llogaritjes së UEFA-s, tri pikët e një fitoreje në fazën e ligës përkthehen në dy pikë për koeficientin e vendit. Meqenëse Shqipëria ka katër klube pjesëmarrëse, ky rezultat do të shtonte 0.500 pikë në mesataren kombëtare. Në këtë mënyrë, koeficienti sezonal do të ngrihej nga 3.000 në 3.500 pikë.

Rëndësia e këtij rezultati shkon përtej një ndeshjeje të vetme. Koeficienti i UEFA-s përcaktohet nga pikët e grumbulluara prej të gjitha skuadrave të një vendi, të cilat pjesëtohen me numrin e klubeve pjesëmarrëse.

Kjo do të thotë se çdo fitore apo barazim në Evropë ndikon në llogaritjen përfundimtare. Sa më shumë pikë të sigurojnë klubet shqiptare, aq më mirë mund të pozicionohet Shqipëria në renditjen sezonale dhe në atë pesëvjeçare, e cila shërben për përcaktimin e kuotave dhe pozicioneve në shortet evropiane të sezoneve të ardhshme.

Për Egnatian, sfida me Lincoln Red Imps është kështu një mundësi për të vazhduar të shkruajë historinë e saj në Evropë, por edhe për të ndihmuar futbollin shqiptar në një objektiv më të gjerë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e 15…