Limaj mesazh udhëheqësve të Serbisë: Çështja e statusit të Kosovës është e përfunduar

15 mars 2019 | 20:16

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj ka folur për reagimet dhe qëndrimet e zyrtarëve të Beogradit pas miratimit në Kuvend të Kosovës, platformës për Bisedime me Serbinë. 

Zëvendëskryeministri i Kosovës në një intervistë për RTK2 ka thënë se çdo kush në Beograd duhet ta ketë të qartë se çështja e statusit të Kosovës është përfunduar.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë se platforma nuk është drejtuar kundër Serbisë dhe qytetarëve të saj, por ajo paraqet pozicionin zyrtar të Kosovës.

Limaj ka thënë se Kosova shtet i pavarur është realitet i njohur edhe ndërkombëtarisht.

“Të gjithë duhet ta dinë edhe bashkëqytetarët serb këtu që e ardhmja jonë përbashkët është Kosova. Ky është realitet i pavarur dhe kështu do të funksionoj përjetësisht. Nuk ka kthim prapa. Fqinjët tanë në Serbi duhet ta dinë që Kosova në Bruksel shkon për njohje. Askush të mos presë diçka ndryshe. Për neve kjo çështje është e mbyllur. Koha është Serbia të pranoj realitetin”. Ka shtuar Limaj.

Limaj ka thënë se Serbia ende nuk ka qëndrim zyrtar sa i përket marrëveshjes se mundshme mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se Kosova në dialog shkon për njohje dhe jo për të negociuar territorin e vendit. 

Ai ka thënë se Kosova është e pandarë dhe nuk negociohet sovraniteti dhe territori i vendit.

Me miratimin e Ligjit për Delegacionin dhe miratimin e Platformës për Bisedime me Serbinë, ai ka thënë se Kosova po demonstron vullnet për dialog. 

Limaj ka thënë se platforma është mbështetur në dokumentet bazë siç është Kushtetuta e Kosovës, pakoja e Ahtisarit dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Secili dialog ka një emër dhe në dialogun e mundshëm më Serbinë, Kosova shkon për njohje. Pra në zemër të marrëveshjes duhet të jetë njohja”, ka shtuar Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me një manifestim madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan…