Listat e reja kryesisht me kandidatë të vjetër

18 janar 2021 | 09:17

Subjektet politike i kanë dorëzuar listat e tyre të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare.

KQZ-ja ka bërë me dije se numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1 079.

Publikimi i këtyre listave nuk ka sjell ndonjë risi, duke dominuar figurat e vjetra të partive. Subjektet politike emrat kryesore të tyre i kanë vendosur në krye të listës, ndërsa vend u kanë bërë edhe aderimeve të reja, shkruan “Epoka e re”.

Bartës të listave ato kanë vendosur pretendentët e tyre për kryeministër. Në lista, subjektet politike kanë respektuar kuotat gjinore dhe kanë vendosur edhe kandidatë nga diaspora.

Lëvizja Vetëvendosje listën e kandidatëve për deputetë e ka quajtur listë të referendumit. Në topdhjetëshen e kandidatëve për deputetë të LV-së është Vasfije Krasniqi, e cila në tetor të vitit 2018 ka rrëfyer publikisht mbi dhunën seksuale të ushtruar mbi të nga policia dhe ushtria serbe në moshën 16-vjeçare. Gjithashtu, pjesë e kësaj liste është edhe Avni Dehari, babai i ish-aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016 në rrethana ende të paqarta.

Kësaj liste i prin lideri i parti dhe kandidati për kryeministër Albin Kurti. Pas tij renditet Vjosa Osmani-Sadriu, e cila iu ka bashkuar LV-së me listën e saj. Numër tre në listë është Glauk Konjufca, i pasuarnga Vasfije Krasniqi, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Donika Gërvalla, Gani Krasniqi. Menumër 10 është Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e ish-shefit të grupit parlamentar të LV-së, Rexhep Selimi, i cili tani gjendet në Hagë, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) listën e vet e ka quajtur lista fituese për rimëkëmbjen e Kosovës. Kjo listë kryesohet nga përfaqësuesit e degës së PDK-së në Prishtinë, më pas vijnë emrat e tjerë të njohur të partisë. Listës i prin kryetari në detyrë dhe kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj. Pas tij vijnë Uran Ismaili, Eliza Hoxha, Bedri Hamza, Memli Krasniqi, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Xhavit Haliti, Bajrush Xhemaili, Blerta Deliu-Kodra dhe Abelard Tahiri.

Sipas kësaj partie, kjo listë është përfaqësimi më i mirë qytetar në këto zgjedhje. “Me vendim të plotë të kryesisë është votuar dhe mbështetur lista e PDK-së ku përfaqësohen të gjitha komunat e Kosovës, profesionet e shumta, moshat dhe identiteti i vërtetë i PDK-së që buron nga lufta çlirimtare. Nga 110 kandidatë, 12 prej tyre janë nën moshën 30-vjeçare dhe 41 nën moshën 40-vjeçare që flet për freskinë dhe vendosmërinë e PDK-së për tu ofruar të rinjve dhe qytetarëve vizionin dhe ekipin më të mirë të rimëkëmbjes. Mbi 50 për qind e kandidatëve garojnë për herë të parë në listën për deputetë”, është thënë në njoftimin e PDK-së për media.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës bartës të listës e ka kandidatin për kryeministër Avdullah Hotin. Listës kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës i prijnë Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Agim Veliu, Behgjet Pacolli, Lirije Kajtazi, Anton Quni, Arben Gashi, Ardita Dushi dhe Driton Selmanaj.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të ketë kandidat për kryeministër në këto zgjedhje. Listës së AAK-së i prin kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, i cili është duke synuar postin e presidentit.

Ai ka thënë se dy të tretat e listës përbëhen nga kandidatë që për herë të parë sfidohen në garën zgjedhore. “Ndër ta janë doktorë shkence, specialistë të mjekësisë, profesorë universitarë, juristë dhe ekonomistë, politologë dhe sociologë, arkitektë dhe inxhinierë, po ashtu përfaqësues nga Lugina e Preshevës dhe diaspora. Dy e treta e listës përbëhet nga kandidatë që për herë të parë sfidohen në garën zgjedhore. Kjo ofertë e Aleancës garanton mbrojtje dhe siguri, rimëkëmbje dhe zhvillim ekonomik, sundim ligji dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, fuqizim dhe avancim të interesave të qytetarëve dhe shtetit”, ka bërë me dije Haradinaj. Pas Haradinajt, në listë renditen Shemsedin Dreshaj, Time Kadriaj, Bekë Berisha, Besnik Tahiri, Albena Reshitaj, Pal Lekaj, Rasim Selmanaj, Teuta Haxhiu dhe Haxhi Shala.

Edhe Nisma Socialdemokrate e ka bërë publike listën. Listës së Nismës i prin kryetari i   saj Fatmir Limaj, pas tij vëllai i Jakup Krasniqit, Avdul Krasniqi, me numër 3 Albulena Balaj, pastaj Bilall Sherifi, Zafir Berisha, Arbëreshë Krasniqi, Enver Sopjani, Enver Mimoza Kadriu, dhe me numër 10 është Vesel Krasniqi.

“Lista jonë e kandidatëve për deputetë është më e mira që u është ofruar qytetarëve të Kosovës për t’i mbrojtur denjësisht interesat e vendit dhe vlerat tona kombëtare. Suksesi ynë është vendosmëria jonë dhe objektivi ynë është t’i shërbejmë Kosovës me nder dhe krenari”, është thënë në njoftimin e Nismës Socialdemokrate.

(Muhameti Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
60 pacientë të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar…