Liverpooli kualifikohet pas penalltive

30 tetor 2019 | 23:50

Liverpooli arriti një kualifikim të çmendur në turin çerekfinal të Kupës së Ligës, teksa kaloi me penallti Arsenalin, në një ndeshje ku 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim 5-5.

Takimi nisi me një autogol të Mustafit që në minutën e 6-të, por Arsenali barazoi në të 19-tën, pas një goli të Torreirës.

Ndërkohë, dy gola të Martinelit në minutat 26 dhe 36, përmbysën gjithçka për “topçinjtë”. Pati kohë edhe për një gol të pestë brenda 45 minutave të para, me Xhejms Milnerin që shënoi të dytin me penallti.

E dyta nisi me golin e katërt të Arsenalit, shënuar nga Metlend-Najls, pas edhe një pasimi mjaft të bukur nga Ozili.

Liverpooli reagoi shpejt, dhe në minutat 58 dhe 62, barazoi takimin në 4-4 me golat e Oksleid-Çamberlein dhe Origit.

Gjithsesi, Arsenali shënoi edhe në minutën e 70-të me Uillok, golin e pestë. Teksa u duk se Arsenali do avanconte në turin tjetër, këtë mendim nuk e kishte Origi. Belgu shënoi edhe golin e pestë me një kthesë brenda zone, duke çuar në festë stadiumin.

Më tej, ekipet iu drejtuan pikës së penalltisë, për të vendosur atë që do kalonte në turin tjetër. Nga “ruleta” e penalltive, më të saktë u treguan lojtarët e Klopit, që i shënuan të pesta penalltitë, ndërkohë për Arsenalin gaboi vetëm Sebajos. Kështu, edhe pse për pothuajse të gjithë takimin ishte në disavantazh, Liverpuli arriti të barazonte në minutën e 95-të, dhe me penallti kalon në turin tjetër.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një penallti në sekondat e fundit të kohës shtesë, e…