Llapi ‘kërcënon’ FFK-në: Nëse delegohet Visar Kastrati nuk do të dalim në fushë

16 prill 2024 | 15:30

Skuadra e Llapit ka hedhur akuza në drejtim të gjyqtarit Visar Kastrati. Klubi llapjan pretendon se gjyqtari në fjalë i ka dëmtuar, sidomos në dy ndeshjet e fundit. Skuadra e Llapit akuza pati edhe për gjyqtarin Burim Jahmurataj dhe asistentin e tij Fatlum Jashari.

“Duam të reagojmë sërish për mediat, opinionin e futbollit dhe komunitetin e futbollit kosovar, pas analizave në detaje të të gjitha ndeshjeve, sidomos dy ndeshjeve të fundit të gjykuara nga Visar Kastrati.  Ky turp i krijuar ndaj nesh ka emër Visar Kastrati, së bashku me ata që e deleguan në ndeshjet e klubit tonë.  Rastin e penalltisë së paakorduar ndaj nesh e kemi analizuar dhe konsultuar me shumë njohës të futbollit dhe ndihemi të dëmtuar nga i njëjti gjyqtar që FFK e shpalli më të mirin, kurse në VAR duke ‘fjetur’ ishte gjyqtari Burim Jahmurataj dhe asistenti i tij Fatlum Jashari. Ne nuk dyshojmë në aftësitë e tij të gjyqtarit, por gjykimi i tij ishte skandaloz dhe më i keq për futbollin kosovar.

Visar Kastrati, i cili punon si Koordinator i referimit dhe merr pagë mujore nga FFK, vazhdon me avazin e vjetër duke dëmtuar një klub të organizuar shkëlqyeshëm si klubi ynë. Kjo nuk do shumë koment por që po ndikon drejtpërdrejt dhe qëllimisht tek rezultatet tona”, thuhet në reagimin e Llapit.

Skuadra e Llapit ka kërcënuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës se nëse Visar Kastrati delegohet në ndeshjen në xhiron e radhës, atëherë nuk do të dalë në fushë. “E paralajmërojmë FFK-në se nuk na intereson se si do delegohen gjyqtarët në xhiron e radhës, por në momentin që Visar Kastarati delegohet në ndeshjet tona të ardhshme në këtë kampionat, ne nuk do të dalim në fushë fare, pastaj përgjegjësinë për mosdaljen tonë në fushë le ta mbaj FFK, Komisioni i Garave dhe njerëzit që janë kompetent për delegimin e gjyqtarëve”, ka përfunduar reagimi i skuadrës së Llapit. Aktualisht Llapi është në pozitën e tretë me katër pikë më pak se skuadra e Ballkanit që është në vendin e parë në tabelë të Superligës.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti dhe gazetari Valon Syla, ka komentuar përzierjen e kryeministrit…