Llapi kërkon fitore për vend të dytë, ‘Nikli’ për titull

15 maj 2019 | 11:08

Trajneri Tahir Batatina ka paralajmëruar se Llapi kërkon fitore ndaj Feronikelit për të mbetur në garë për pozitën e dytë në tabelë.

Skuadra e Llapit, pas humbjes në minutat e fundit në derbin ndaj Prishtinës, kërkon fitore sot (e mërkurë) në derbin e xhiros së parafundit në IPKO Superligë ndaj Feronikelit. Këto dy skuadra takohen sot nga ora 16:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku edhe mund të vendoset titulli i kampionit.

Trajneri Tahir Batatina ka thënë të martën për “Epokën e re” se Llapi synon fitore për t’i ruajtur shpresat për pozitën e dytë. “Si në çdo ndeshje tjetër, Llapi hyn për fitore edhe në ndeshjen ndaj Feronikelit, e cila do të jetë e vështirë për të dy klubet. Synimi ynë është të fitojmë dhe të mbesim në garë për pozitën e dytë në tabelë për faktin se Feronikeli është në garë për të dy trofetë. Mungesa të rëndësishme për ndeshjen e radhës i kemi Benjamin Eminin dhe Valmir Veliun”, ka thënë Batatina. Feronikeli në ndeshjen e fundit u tregua skuadër bindëse ndaj Dritës, duke e mposhtur 4-1 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Për fitore, sipas Astrit Fazliut, “Nikli” do të luajë edhe ndaj Llapit, në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. “Ne jemi mirë të përgatitur për ndeshjet e fundit. Të gjithë e dimë rëndësinë e pikëve si për ne, po ashtu edhe për Llapin, por Feronikeli, si në çdo ndeshje tjetër, udhëton për fitore. Kundërshtari ka skuadër cilësore dhe do të jetë ndeshje e vështirë për të dy klubet dhe interesante për publikun”, ka thënë Fazliu, i cili ka konfirmuar se “Nikli” në këtë ndeshje nuk do të ketë mungesa.

Në rast se “Nikli” shënon fitore do të jetë kampion sipas të gjitha gjasave, kurse me barazim dhe me fitore të Prishtinës ndaj Trepçës ’89 mbetet në pozitën e parë, por me pikë të barabarta me kryeqytetasit. Interesante pritet të jenë edhe dy ndeshjet e tjera që zhvillohen sot: Drita-Flamurtari dhe Drenica-Ballkani. Dy ndeshjet  fundit për këtë xhiro zhvillohen të enjten, kurse takohen: Gjilani-Liria dhe KEK-u-Ferizaj.

IPKO Superliga – Java e 32-të

Të mërkurën takohen:
Prishtina – Trepça ’89
Llapi – Feronikeli
Drita – Flamurtari
Drenica – Ballkani

Të enjten takohen:
Gjilani – Liria
KEK-u – Ferizaj

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Tahir Batatina ka paralajmëruar se Llapi kërkon fitore ndaj…