Llapi u braktis nga lojtarët që lavdëroheshin nga Batatina

19 qershor 2019 | 12:07

Hamdi Namani, Ahmed Januzi dhe Ilir Blakçori janë vetëm disa nga lojtarët që e braktisën Llapin në këtë afat kalimtar. Të njëjtit u lavdëroheshin pandërprerë gjatë kampionatit të fundit nga trajneri Tahir Batatina, por duket se vlerësimet dhe lëvdatat e tepërta nuk mjaftuan që ata të mbesin pjesë e skuadrës nga Podujeva edhe në edicionin 2019/2020.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në opinion njihet për deklaratat bombastike. Një e tillë kishte qenë edhe pak javë para fundit të kampionatit, kur futbollistët që i drejtonte i vlerësoi si më profesionistët në Kosovë dhe se janë në gjendje ta japin “shpirtin” në fushë për trajnerin e tyre, pra për Batatinën.

“Lojtarët për mua janë në gjendje të vdesin në fushë për t’i arkëtuar pikët e plota dhe kjo më bën të ndihem komod kur kam punë me ‘luana’ të vërtetë dhe djemtë më të mirë në Kosovë i kam në skuadër”, kishte deklaruar Batatina.

Mirëpo kjo në praktikë i doli e kundërta, pasi shumë nga këta futbollistë më të përfunduar kampionati e braktisën Llapin dhe trajnerin Batatina. Një nga këta lojtarë ishte edhe kapiteni Hmadi Namani, i cili u largua pas plot gjashtë vjetësh. Po ashtu, nga Llapi u larguan edhe lojtarët më emër si Ahmed Januzi, Edon Zeqiri Hamdi, Egzon Sinani dhe Ilir Blakçori. Ndërsa i fundit që u largua është portieri Eglant Haxho. Ky i fundit largimin nga Llapi e ka konfirmuar të hënën nëpërmjet një postimi në “Facebook”. “Nuk do të jem më pjesë e Llapit. Edhe pse kishim një marrëveshje verbale, ajo nuk u realizua deri në fund. Pas pritjes nga ana ime për të pasur kontratë të detajuar, asgjë nuk erdhi në adresën time dhe e ndjeva të domosdoshme ta bëj këtë njoftim, edhe pse i vështirë”, ka shkruar Haxho, i cili ka falënderuar tifogrupin ‘Legjendat’, bashkëlojtarët, drejtuesit e klubit, zyrtarët dhe gjithë shtabin teknik.

E paqartë vazhdon të jetë e ardhmja e mesfushorit Mentor Zhdrella edhe përkundër asaj se Tahir Batatina e ka konfirmuar se marrëveshja është arritur dhe se katër herë lojtari më i mirë në Kosovë do të jetë edhe kapiten i Kosovës. Po ashtu, ende nuk dihet se a do të jetë pjesë e skuadrës nga Podujeva në edicionin 2019/2020 sulmuesi Festim Alidema, i cili ka qenë ndër lojtarët më të mirë në Kosovë për edicionin e fundit.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ERNEST HEMINGWAY Toronto Star Weekly/13 mars 1920 Shumëkush drejton gishtin…