Lluka: Telekomin e shpëton privatizimi

09 prill 15:34

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se Telekomin e Kosovës e shpëton privatizimi.

“Telekomi duhet të privatizohet. Kur? Nuk është koha besoj sepse duhen dy procedura të ndryshojnë para se të shkojmë te privatizimi. E para është të kemi arbitrazhin e përfunduar, pra duhet të sigurohemi që nuk ka rast në arbitrazh para privatizimit dhe e dyta është ta kemi një performancë më të mirë operative. Pra një ndërmarrje që ka rreth 15 milionë euro humbje normalisht që nuk mund të jetë e suksesshme edhe në privatizim. Si rezultat duhet ti ndërmarrim disa reformat ë ristrukturimit, e në momentin që e kthejmë në profitabile apo të paktën mos të ketë humbje drastike atëherë jemi të gatshëm për privatizim”, ka thënë Lluka për “Radio Kosovën”.

Lluka shprehet optimist se Telekomi mund të kthehet në kompani profitabile në një afat të shkurtë, veçse nevojiten vendime të guximshme, duke prekur edhe në paga të punëtorëve.

“Nëse ne e marrim si masë vitin 2018, besoj se viti 2019 do të jetë shumë më i mirë. Për arsye se lyp guxim pak, pra nuk është vështirë ta bësh ndërmarrjen profitabile, se rreth 27 milionë euro është lista e pagave, duhet të prekim pak në listë të pagave. E rreth 10 milionë euro janë pagesat për qira të ndryshme, mund të prekim aty sepse qiratë janë marramendëse si për postën po ashtu edhe për qiratë private që paguajnë antenat. Prandaj, shpenzimet operative janë mjaft të mëdha dhe nëse prekim kudo nga pak, atëherë besoj që edhe rezultati do të jetë mjaft i mirë në kursimin e atyre 15 milionë eurove që ka humbje”, ka thënë ministri.

Lluka nuk tregoi se sa mund të preket në listën e pagave, pasi sipas tij nuk varet nga ai.

“E kemi filluar krijimin e një grupi për qeverisje koorporative të ndërmarrjeve publike dhe ai grup i përbërë nga ekspertë të jashtëm, të brendshëm e nga shoqëria civile do të vije me një plan-program. Pra, me disa rekomandime, e që ato rekomandime normalisht do të shqyrtohen në bashkëpunim me bordet e ndërmarrjeve dhe të gjejmë ndonjë harmoni për ekzekutimin e atyre rekomandimeve”, ka thënë Lluka.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar i së Drejtës, Flamur Hyseni, ka shprehur nevojën…