Llumnica: Katër skuadra luftojnë për titull

18 gusht 2018 | 14:47

Analisti Ardian Llumnica e ka parashikuar kampionatin 2018/2019 shumë interesant, me rivalitet të theksuar në garën për titull. “Do të jetë kampionat interesant. Do të ketë rivalitet të madh për kreun dhe për mbijetesë. Federata ka marrë masat e nevojshme që çdo dukuri negative ta eliminojë apo minimizojë, ndërsa është ngritur edhe vetëdija e klubeve se ndeshjet duhet të luhen në suaza të ‘fair-play’-it dhe fituesit vetëm duhen uruar qoftë brenda apo jashtë fushës”, ka thënë Llumnica, i cili ka nxjerrë katër skuadra si favorite për titull: Prishtinën, Dritën, Feronikelin dhe Llapin

Fotografia e Ardian Llumnica

Sikurse në shumicën e vendeve të tjera evropiane, edhe Superliga e Kosovës në futboll nis në këtë fundjavë. Analisti i futbollit, Ardian Llumnica, ka thënë të premten për “Epokën e re” se edicioni 2018/2019 do të jetë interesant në garën për titull dhe për mbijetesë. “Do të jetë kampionat interesant. Do të ketë rivalitet të madh për kreun dhe për mbijetesë. Federata ka marrë masat e nevojshme që çdo dukuri negative ta eliminojë apo minimizojë, ndërsa është ngritur edhe vetëdija e klubeve se ndeshjet duhet të luhen në suaza të ‘fair-play’-it dhe fituesit vetëm duhen uruar qoftë brenda apo jashtë fushës”, ka thënë Llumnica.

Në edicionin e fundit titullin e kampiones e ka fituar skuadra e Dritës nga Gjilani, por Llumnica ka shprehur mendimin se edhe në edicionin e ri gara për trofeun më të çmuar në futbollin e Kosovës do të sjellë rivalitet të madh në mes të disa skuadrave. “Lufta për titull edhe këtë vit do të jetë e fortë. Mendoj se do t’i ngjasojë sezonit që lamë pas, dhe jo vetëm në këtë vit, por edhe për disa vjet të tjera do të ketë disa skuadra që do të garojnë për titull me cilësi thuajse të përafërt ku dallojnë në nuanca. Në këto raste fjalën përfundimtare për sukses mund ta thonë trajnerët për nga mjeshtëria e tyre”, ka shtuar ai.

Favorite në këtë garë, sipas Llumnicës, do të jenë Drita, Prishtina, Feronikeli dhe Llapi. “Drita dhe Prishtina si ish-kampione dhe nënkampione janë prapë favorite. Drita, pavarësisht se ka ekip homogjen, duhet të ketë më shumë konkurrencë të brendshme dhe disa prej përforcimeve nuk janë aq bindëse. E shoh një Prishtinë më ndryshe nga sezoni i kaluar edhe në cilësi, edhe në ritëm të lojës. Kur kësaj ia shton edhe rikthimin në shtëpi të vet, adaptimin e trajnerit Josa në futbollin e Kosovës, atëherë është pretendentja kryesore për titull. Në këtë garë janë edhe Feronikeli dhe Llapi. ‘Nikli’ në përbërje ka kontingjent për dy formacione dhe nëse Starova kap ritmin në lojën sulmuese, atëherë do ta udhëheqë kreun. Llapi ka skuadrën më të mirë ndonjëherë, pasi ka ruajtur kontingjentin dhe ka marrë futbollistët Bujar Idrizin, Fiton Hajdarin, Behar Maliqin e shumë të tjerë që janë superiorë në nivel të Superliges. Llapit ndër vite e ki munguar konkurrenca e brendshme apo kontingjenti, por tash e ka të plotësuar këtë element, kurse e ka edhe trajnerin Bylbyl Sokoli që e di rrugën e suksesit. Nëse Llapit nuk i shfaqet ndonjë problem i natyrës që iu shfaq ende pa filluar kampionati, atëherë është favorit i barabartë me Prishtinën dhe Feronikelin”, ka deklaruar Llumnica.

“Mendoj se KEK-u nuk mund t’i shpëtojë mbijetesës. Problemet në kryesi dhe fondi i futbollistëve të rinj lë për kuptuar se rënia i troket në derë, kurse skuadrat e tjera afërisht janë të ngjashme në cilësi dhe dikush më poshtë e dikush më lart do të mund t’i ikin barazhit. Kanë bërë transferime aq sa kanë pasur mundësi dhe aq sa pretendojnë, por ka edhe nga ato skuadra që janë vonuar dhe nuk kanë gjetur lojtarë të duhur në treg”, ka përfunduar Llumnica.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konflikti mes Presidentit dhe partisë në pushtet në Poloni vazhdon.…