LUFTA PËR LUFTËN

02 gusht 2020 | 20:51

Shefqete GOSALCI

E kujt ishte lufta, e kujt është liria, e kujt harresa, e kujt kujtesa, e kujt historia dhe e kujt (pa)përgjegjësia?A kemi kujtesë?

Të dashur vëllezër e motra, të dashur miq e shokë, shqiptarët e mi të dashur,

Ju lus, në emër të të gjithë të vrarëve, të masakruarve të pafajshëm, nga Serbia gjenocidale, (të të gjitha periudhave), si dhe atyre të luftës së fundit në Kosovë (1998/99), të cilët i pamë me sy e i ndiejmë me shpirt, që t’i bëjmë (SUBSCRIBE) “YJET QË NUK VDESIN”, në YOU TUBE, të autorëve Nusret Pllana dhe Esat Shala, të cilët janë mbledhës të fakteve dhe dokumenteve, argumenteve të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët, në mënyrë që t’i shoh e gjithë bota dhe të bindet për monstruozitetin dhe përmasat e gjenocidit dhe ta njohë të vërtetën tonë të dhimbshme historike.

Kujtesa si virtyt do të duhej dhe duhet të na shqetësojë e të na obligojë, mbase edhe të na alarmojë të gjithëve, pa përjashtim, edhe si individë, edhe si institucione, që historinë tonë të lavdishme ta shkruajmë e ta ruajmë vetë, ta mbrojmë e ta arkivojmë.

Harresa, si ves (është si kujtimet), sot do të na dhembë më së paku krahasuar me dhimbjen dhe vuajtjet që do të mund t’ua sillte brezave në vazhdim.

Akademitë tona të Artit e të Shkencës, Instituti i Historisë i Tiranës dhe i Prishtinës, si institucionet më të larta shkencore, do të duhej ta kishin prioritet mbi prioritete dokumentimin e krimeve shekullore serbe mbi shqiptarët, sepse atyre u takon t’i trajtojnë me prioritet temat kaq të mëdha siç është lufta dhe vlerat e saj. Çfarë mund të ishte më e rëndësishme për shkencën shqiptare sesa tema e luftës, tragjedisë kaq të madhe kombëtare dhe mbijetesës? Ata kanë kapacitete shkencore, financiare dhe organizative për hulumtime të tilla. Le ta bëjnë sot. Ndryshe do të kuptohej dhe vlerësohej një libër i tillë i botuar nga dy akademitë tona.

Përderisa Serbia (shtet gjenocidal, që brenda 30 vjetëve të fundit bëri tri luftëra në Ballkan, vrau e masakroi qindra-mijëra njerëz të pafajshëm) ka mbushur arkivat, rrjetet sociale dhe ka shkruar libra të mbushura me rrena, trillime e të pavërteta për shqiptarët dhe të njëjtat, të përkthyera në shumë gjuhë të botës, i ka botuar në miliona kopje dhe i ka shpërndarë nëpër ambasada të shumë shteteve dhe të njëjtat i shpërndanë e i shet nëpër panairet e librave kudo nëpër botë, ka ndotur informimin e drejtë dhe të vërtetë për shqiptarët jo vetëm në Serbi, por në gjithë botën. Mos të harrojmë, bota çka lexon e beson.

Ditët e fundit Serbia ka trilluar edhe një film të tillë (me të cilin pretendon ta paraqesë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si terroriste). Është po e njëjta Serbi, “Akademia” e së cilës për më shumë se një shekull harton elaborate nga Çubrilloviqët, Garashaninët, Andriqët, Rankoviqët, Millosheviqët… as këta të sotëm nuk ndryshojnë aspak), shfarosëse për zhdukjen e shqiptarëve, (dhe duke e përdorur rrenën si “argument dhe prioritet”, në mungesë identiteti, ajo ka mbijetuar. Fatkeqësisht avazin e vjetër e vazhdon edhe sot, (patogjinë dhe potolerueshmërinë ndaj shqiptarëve). Serbia jo që nuk ka kërkuar falje publike për krimet, gjenocidin dhe etnocidin në Kosovë (siç ka bërë dikur kancelari gjerman Vili Brand në Varshavë të Polonisë në vitin 1970, Vuçiçi nuk e ka kurajën e Brandit që të përkulet i turpëruar në Prishtinë dhe të kërkojë falje, sepse falja do ta nënkuptonte pranimin e fajësisë, por vazhdon në mënyrë të paskrupullt ta luajë lojën e “viktimës”.

Ne çuditërisht vazhdojmë me kompleksin e inferioritetit, thuajse asgjë nuk po ndodh!

Me gjithë këto argumente në duar (dhe shumë të tjera që është dashtë t’i hulumtojmë e t’i gjejmë e se kemi bërë), nuk kemi qenë dhe nuk jemi as sot gjithaq vigjilentë dhe të përgjegjshëm e nuk kemi ditur as t’i ruajmë e as t’i plasojmë në botë.

Përgjegjësia është e përbashkët, kolektive.

Shteti dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë treguar duarshtrënguara dhe koprrace për përkrahjen financiare, stimulimin dhe motivimin e autorëve të këtyre veprave, (disa prej të cilëve kanë punuar që dy dekada për t’i shkruar ato vepra, kanë shitur edhe pronat e tyre private), në vend se t’i sponsoronte veprat e tilla dhe t’i kurajonte autorët për hulumtime dhe vepra të reja dhe t’u jepte mbështetje veprave të tyre. Në një shtet funksional këtyre veprave do të duhej dhënë prioritet mbi prioritete, (ndërkohë që nga institucionet e Kosovës në jo pak raste përkrahen “projekte koti” pa ndonjë vlerë të çmuar, të cilat edhe ndikojnë drejtpërdrejt në shkulturizimin e shoqërisë). Apo nga këto vepra në të cilat shkruhet për luftën, dikush nga përfaqësuesit e institucioneve mund të mos ketë fituar ndonjë shumë të majme financiare?

Pa faj në këtë drejtim nuk janë as mediat, sidomos ato elektronike, shumica prej të cilave kanë mbushur TV e tyre me seriale (dikur latino-amerikane, tani turke, dhe kanë kontaminuar në sasi të ndjeshme hapësirat mediale ku gjithçka tjetër mund të gjesh veç edukatës e kulturës, duke ua shpërlarë kështu trurin qytetarëve të pafajshëm).

Botimin e veprave e tilla, që dokumentojnë gjenocidin serb në Kosovë, do të duhej ta merrnin përsipër institucionet e arsimit dhe të kulturës e t’i shtypnin në mijëra kopje, t’i përkthenin, t’i shoqëronin me fotografi kolor dhe t’i shpërndanin nëpër ambasada të të gjitha shteteve, jo vetëm në Kosovë. Kushtueshmëria e tyre financiare ndoshta mund të duket shumë e lartë, por mos të harrojmë se çmimi i mosbotimit dhe i neglizhimit “me ose pa qëllim e dashje”, të tyre do të jetë i shumëfishtë për gjeneratat e ardhshme. Kjo indiferencë, neglizhencë dhe kjo harresë e “trashë” nuk justifikohet me asgjë, ama bash me asgjë.

Athua mund të falet sjellja juaj me aq komoditet ndaj diçkaje të ndodhur dhe të vërtetë, e cila është shumë e rëndësishme dhe e dobishme, është esenciale. Do të thosha, është kapitale të nxirret në dritë.

Kurdoherë dikush duhet dhënë përgjegjësi dhe llogari.

Po ATA Heronj e ATO Heroina që punuan e luftuan ndër shekuj për t’i thyer zinxhirët e prangat e robërisë edhe atëherë kur nuk dukej dritë në tunel, ATA dhe ATO që besuan në vete dhe në LIRI, sakrifikuan gjithçka për pavarësinë dhe lirinë tonë, athua si ndihen atje në amshim teksa ne i harruam që me lulen e parë mbi varr, dhe i përmendim hera-herës nëpër përvjetorë pompozë derisa ua kemi mbuluar gjakun me harresë?

Po ato vajza të mitura dhe ato gra të pafajshme që u çnjerëzuan, u dhunuan e u copëtuan bajonetash nga barbarët serbë nëpër shtëpitë e tyre, në emër të kujt “dorëzuan” nderin, trupin e shpirtin dhe mbetën përjetësisht “as gjallë as dekë”?

Po ato foshnja që, që në embrion sapo kishin dëgjuar të rrahurat e para të zemrës, e që prindërit ende nuk ua kishin vënë emrat, e që u therën me thika e bajoneta nga barbarët historikë serbë, veç pse ishin shqiptarë?

Po gjyshërit e prindërit tanë që në moshë të thyer u shkulën dhe u shpërngulën dhunshëm nga shtëpitë dhe trojet stërgjyshore, me torturat dhe mizoritë barbare serbe, ndërsa ata që nuk pranuan t’i lëshonin pragjet e shtëpive të tyre, u torturuan në mënyrat më çnjerëzore, u masakruan, u dogjën e u poqën të gjallë, e u hodhën puseve e lumenjve për t’i humbur gjurmët e krimeve ndaj tyre.

Po ata të rinj shqiptarë civilë e të pafajshëm që u grabitën nëpër familjet dhe shtëpitë e tyre, nga policia dhe ushtria serbe, e që po quhen (të zhdukur, ata nuk janë të zhdukur), dhe trupat e tyre u bartën në mënyrë të organizuar nga ushtria serbe, u mbytën me tortura çnjerëzore, u dogjën nëpër furrnalta të minierave, e me hirin e tyre Serbia shtroi rrugët, të tjerët u mbytën nëpër frigoriferë dhe u hodhën lumenjve, shumë të tjerë u varrosën në varreza masive e disa të tjerëve kafkat ua bënë llambadarë?

Po ata djem nënash shqiptare që u nxorën me dhunë nga kolonat dhe u plaçkitën e u pushkatuan pa gjyq, para prindërve?

Po ato vajza e djem shqiptarë që nga përndjekjet sistematike të regjimit totalitar serb nuk arritën të martohen e të krijojnë familje, as të riprodhojnë as veten e lëre më ta shtojnë Kombin, me çka humbi sasi e madhe e energjisë së Kombit shqiptar?

E sa e sa shqiptarë të palindur…

Përbuzja e LIRISË!

Ato GRA e ATA burra që humbën familjet dhe gjithçka patën e nga dhimbja e mërzia, të mbetur vetëm, ranë në depresion e përfunduan spitaleve dhe çmendinave?

Po ATA e ATO ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) (që, sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të vitit 2010, (tani nuk e di sa është)), 49 ushtarë të UÇK-së, të harruar nga shokët e ditëve të vështira të luftës, të cilët “humbën” pas luksit të tepruar dhe posteve politike, “humbën” pas materiales, u pasuruan në krahë të luftës dhe u shkëputën lehtë nga idealet e dikurshme dhe e kaluara e lavdishme, thjesht u “dehën” nga liria dhe e përbuzën LIRINË. (Mos harroni, HISTORIA është punë e madhe. Ajo nuk fal). Po jua kujtoj, sa për ilustrim, një postulat të Hasan Prishtinës: “DHE PARA SË GJITHASH, RUHUNI NGA MALLKIMI I HISTORISË, DHE MOS E HARRONI ATË KUR TA JEPNI MENDIMIN TUAJ”.

Luftëtarët, të harruar, neglizhuar, injoruar, të indinjuar e poshtëruar edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës, për të cilat kishin luftuar, ATA dhe ATO ia bënë gjyqin vetes?

Po ATA shqiptarë e shqiptare (afër një milion) që dhunshëm nga policia dhe ushtria e Serbisë u përzunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre dhe u detyruan të ecin me këmbë në kolona, disa edhe me trena u deportuan në vendet fqinje Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e prej andej shumica shkuan në vende të treta, shumica s’u kthyen më, u tretën rrugëve të botës.

Po ATA mërgimtarë shqiptarë me djersën dhe mundin e të cilëve u ble armatimi dhe ushqimi i luftës dhe u mbajt e gjithë logjistika përcjellëse, shumë prej të cilëve erdhën kur i thirri gjaku?

Gjitha këto sakrifica mbinjerëzore, dhe “modele” vdekjesh padyshim që u bënë në emër të lirisë dhe të njerëzores dhe, si duket, nuk na ndërgjegjësuan si shoqëri?

Si vend i paradokseve që jemi, për mua personalisht ky është më i rëndi. Athua edhe çka duhet të ndodhë me ne që të na ndërgjegjësojë e vetëdijesojë për ta mbrojtur ushtarin dhe ushtrinë tonë, me çka do ta mbrojmë lirinë tonë kolektive?

Po si mbrohet liria?

Duke harruar gjithçka u dha për të?

Duke e mbuluar kujtesën me kurora lulesh?

Duke u turpëruar nga temat “demode” dhe librat e luftës?

Duke u turpëruar për t’i treguar dhunimet?

Duke u “mburrur” dhe “krenuar” me “asgjëtë” tona për luftën?

Duke abstenuar nga e vërteta?

Duke ua lënë brezave të ardhshëm, me dashje e qëllim, përsëritjen e historisë…?

Duke u mburrur që harrojmë?

Kështu, ja e mbulojmë diellin e lirisë!

Lufta dhe liria mbrohen me ligj!

Institucionet e Republikës së Kosovës (në këtë rast Kuvendi i Kosovës), si dhe subjektet politike përfaqësuese të të gjitha mandateve qeverisëse të pasluftës, edhe pas 21 vjetësh të përfundimit të luftës, pavarësisht “përpjekjeve”, (qofshin këto edhe të ditëve të fundit), ende nuk arritën pajtueshmëri dhe unitet për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lufta e drejtë dhe e pastër çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998/99) ka qenë e pashmangshme, e pabarabartë, e paevitueshme dhe e domosdoshme. Pa luftë nuk do të vinte kurrë liria.

Vetëm atëherë kur ne si popull u vetëdijesuam, u mobilizuam, e shtrënguam armët në brez, dhe e bindëm veten dhe botën se e kemi seriozisht luftën për liri e pavarësi, atëherë reagoi bota demokratike, aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO, dhe në emër të humanizmit përkrahu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-në), si dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

Në mungesë të atij ligji u jepet mundësia dhe “liria” cilitdo njeriu të lig e të pavetëdijshëm që në çfarëdo mënyre ta fyejë, shajë e njollosë luftën e shenjtë dhe të shtrenjtë të UÇK-së, që me gjak e kemi paguar.

Paradoks se jo mahi!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kryevlera e djeshme, e sotme, e nesërme, e përhershme dhe e përjetshme e kombit shqiptar. Ajo ka në ballë vulën e gjakut të këtij populli të shumëvuajtur e të stërmunduar, që do t’i shëmbëllejë sa të ketë shqiptarë mbi dhe dhe e cila ka luftuar në emër të humanizmit dhe vlerës universale të lirisë, për ta mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës nga kanosja e rrezikut të shfarosjes nga regjimi totalitar, hegjemonist e fashist i Serbisë.

Mosdenoncimi i Serbisë nga institucionet e Kosovës, për gjenocidin dhe krimet monstruoze serbe mbi popullin e pambrojtur shqiptar të Kosovës, mosndëshkimi i saj që 21 vjet… solli ndërrimin e roleve mes agresorit serb dhe viktimës shqiptare.

E kujt pra ishte lufta, e kujt është liria, e kujt harresa, e kujt kujtesa, e kujt historia, e kujt (pa)përgjegjësia?

Për krimet e Serbisë në Kosovë kanë shkruar këta autorë, (të më falin ata për të cilët nuk e di): Nusret Pllana, (Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi janë bashkautorë të librit për vrasjen e fëmijëve në Kosovë), Afrim Mustafa, Habib Zogaj, Dan Ibrahimi, Ahmet Qeriqi, Bardhyl Mahmuti, Fetnete Ramosaj, (ish-luftëtare e UÇK-së, e cila ka bërë aq shumë hulumtime të krimeve serbe të cilat edhe i ka publikuar në veprat e saj dhe që, fatkeqësisht, bëri aq sa mundi dhe sa ishte gjallë nuk u trajtua dinjitetshëm nga institucionet e Kosovës, ndërroi jetë në kushte të vështira dhe u varros me pompozitet), Dibran Fylli, Ukë Thaçi etj., ndërsa Esat Shala ka ruajtur shumë dokumente, fotografi, video-incizime (pothuajse një arkiv të tërë dhe, paradoksalisht, është i papunë).

Grup autorësh poetë kanë botuar librin me poezi “Dritë mbi plagë”.

Të gjithë këta autorë që kanë shkruar për gjenocidin dhe krimet serbe për mua janë institucione në vete, (natyrisht unë e përfaqësoj vetëm veten).

Andaj, mendoj se është e udhës që përderisa këta autorë me shkrimet dhe publikimet e tyre kanë ruajtur një pjesë të kujtesës sonë historike kolektive, për ne dhe për brezat e ardhshëm, t’ju ndihmojmë edhe ne si qytetarë, (në mungesë të përkrahjes institucionale, punë e tyre duhej të ishte), të vetëfinancohen dhe të arrijnë të plasojnë dhe t’i publikojnë faktet autentike dhe argumentet e tyre për krimet serbe në Kosovë, të grumbulluara që njëzet vjet, dhe të njëjtat të mund t’i shohë e gjithë bota në “You Tube” “Yjet që nuk vdesin”.

Përderisa luftëtarët e lirisë kanë luftuar të etur e të uritur, kanë kaluar kufijtë duke bartur në supe armatimin dhe municionin e luftës (duke bartur mbi supe lirinë), kanë lënë gjymtyrët betejave dhe kanë falur edhe më të shtrenjtën që falet, jetën pra, atëherë pse ne të mos u ndihmojmë bashkëluftëtarëve të luftës së djeshme dhe “luftës” së sotme për t’i mbrojtur vlerat e luftës nga shtëpitë tona, pa u lodhur fare.

Po fundja, kush jemi ne (të gjithë pa përjashtim), (ky është luks i tepruar), që po tregohemi kaq indiferentë e injorantë, shpërfillës, neglizhentë e harrestarë ndaj kujtesës dhe historisë sonë të vjetër dhe të re?

Së paku të tregohemi më humanë e më njerëzor ndaj atyre, ndaj atyre që u flijuan, ndaj gjakut e lotëve tanë, ndaj vetvetes, kombit tonë të lashtë e liridashës, ndaj kujtimeve tona për ta dhe, në vend se t’i harrojmë, të përpiqemi, ama seriozisht, në çdo mënyrë të mundshme ta çmojmë, ta vlerësojmë, nderojmë e lartësojmë gjakun dhe veprën e tyre.

Duke vepruar sot, lehtësojmë sadopak vuajtjet e popullit tonë.

Nuk mjafton krenaria.

Krenaria, duke mos e ruajtur veprën e tyre, është krekosje e kotë dhe e humbet kuptimin.

Na duhet ndërgjegjësim individual, kolektiv e institucional, këmbëngulje dhe vetëmohim t’i dalim në mbrojtje vetvetes, të vërtetës sonë të gjakosur, kujtesës sonë që armiqtë tanë shekullorë bashkë me “miqtë e rrejshëm” po përpiqen të na e mohojnë.

Kjo është punë e lehtë por, paraprakisht, duhet të duash ta bësh, duhet ta duash ushtrinë tonë, dhe kjo përpjekje e jona kaq e vogël sot tregon nivelin tonë të pjekurisë, maturimin, kulturën tonë jo vetëm politike, ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin tonë si popull e komb dhe seriozitetin tonë për ruajtjen dhe arkivimin e kujtesës sonë historike kolektive.

Arkivin e UÇK-së, Muzeun e Krimeve Serbe, Muzeun e Kujtesës, Muzeun e Zhbërjes dhe Holokaustit që ndodhi në fundshekullin e XX-të (1998/99), ne do të duhej t’i kishim qysh pas mbarimit të luftës (tash jemi 21 vjet pas luftës e pa to).

Kah po shkojmë?

Një thënie e njohur amerikane thotë: Nëse nuk ka emra, njerëz, dëshmitarë, data, fotografi, vende, dëshmi… nuk ka ndodhur. Vitet po shkojnë e ne po vendnumërojmë.

Kush do duhej t’i themelonte këta muze?

Natyrisht që shteti.

Por shteti jemi edhe ne, secili nga pak jemi shtet, sepse secili prej nesh duhet ta kishim dhënë ndonjë kontribut sado të vogël në këtë drejtim duke u treguar të zellshëm e vigjilentë për ruajtjen e shenjave të luftës, duke salduar kujtesën njëherë e mirë në trurin tonë si vlerë dhe si kulturë.

Ushtria është atribut i shtetit, andaj ta mbrojmë sot atë që nesër, në rast nevoje, na mbron neve.

Meqenëse shteti ynë, Kosova, është ende i brishtë dhe me apo pa qëllim e vetëdije ndërgjegjësuese institucionale nuk e ka trajtuar me seriozitetin e duhur këtë problematikë për mbledhjen, grumbullimin, ruajtjen, arkivimin dhe plasimin e publikimin e krimeve serbe në Kosovë, ne bashkërisht si qytetarë mund ta ndihmojmë shtetin tonë në këtë drejtim.

Ne jemi qytetarët e Kosovës dhe Kosova është shteti ynë. Duke komunikuar, bashkëbiseduar dhe ndihmuar njëri-tjetrin në mbrojtje të këtyre vlerave kapitale të shtetit, të ushtrisë sonë, ne e ndihmojmë veten, rininë e shoqërinë tonë.

T’i përkrahim vëllezërit e motrat tona që shkruan për vlerat e luftës dhe krimet serbe, këta njerëz atdhetarë e të mençur e vizionarë, dhe t’u jemi mirënjohës që u kujdesën për kujtesën tonë kur ne ishim në gjumë.

Në këtë mënyrë historia (që, fatkeqësisht, pak e shkruamë vetë) dhe historiografia jonë të mos jenë të ndryshme dhe të mos na përsëriten.

Ju jam fort mirënjohëse: Nusret Pllana, Esat Shala, Afrim Mustafa, Ahmet Qeriqi, Hanëmshahe Ilazi, Fetnete Ramosaj, Bardhyl Mahmuti, Dan Ibrahimi, Nuhi Bytyqi, Ramize Murtezi-Shala, Ukë Thaçi, Dibran Fyelli, Çerçiz Loloçi (të cilit i kërkoj falje sepse vonë e mora informatën), dhe të gjithë ju poetë e poetesha që keni shkruar poezi për gjenocidin serb në Kosovë.

Kërkohet aq pak nga ne, prandaj ju lutem bëjeni sot (SUBSCRIBE) “YJET QË NUK VDESIN”, në platformën YOU TUBE.

Unë ndiej përgjegjësi. Po ti?

Si qytetare e Kosovës që ndiej përgjegjësi, ju lutem ndërgjegjësohuni ju institucionalistë që na përfaqësoni.

Në fund po i jap dy propozime që shpresoj të mos bien në vesh të shurdhër.

  1. Propozoj që autorët e këtyre librave dhe fakteve të tjera të lartcekura të jenë pjesë e institucioneve muzeale që mund dhe duhet të themelohen në vazhdim për ruajtjen dhe arkivimin e këtyre dëshmive, fakteve e argumenteve.
  2. Propozoj që cilido qoftë delegacioni i Kosovës në bisedimet e pretenduara me Serbinë, t’i marrë me vete këta libra përmes të cilëve arrihet përfaqësimi dinjitoz dhe serioz i gjithë golgotës shqiptare nga regjimi i Serbisë.

Ju lutem lini inatet dhe mendjemadhësinë, lini ambiciet personale dhe xhelozitë, këtu në këtë kauzë është Kosova me të gjithë luftëtarët, martirët, viktimat, të burgosurit, të dënuarit, të persekutuarit, me varret pa kufoma e kufomat pa varre e pa emra. Janë kujtimet, shtëpitë, fotografitë, ëndrrat e dëshirat e tyre dhe tonat, zërat dhe ëndrrat e fëmijëve që tani veç në ëndrra mund t’i shohim.

Të mos harrojmë, secili kemi nën sqetull amanetin e heronjve.

Është një lutje njerëzore, para së gjithash.

Bashkë do t’ia dalim ta harrojmë harresën!

 

29.07.2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampioni në fuqi i Formula 1, Lewis Hamilton, ka arritur…