Lulet mbi gurë!

27 maj 2021 | 12:52

Të angazhuar duke kryer punën tonë profesionale në varrezën masive klandestine në Kizhevak, nganjëherë sikur po harrojmë anën humane të kësaj çështjeje, dhe për këtë disa herë jam ndalur dhe kam menduar në heshtje me vetën time.

Dhe, vetëm kur kthehemi prapa në kohë dhe kujtojmë realitetin e hidhur, kur kujtojmë atë që ka ndodhur këtu e 22 vite më përpara, dhe kur e mendojmë këtë kohë aq të gjatë që është dashur për t’i gjetur e identifikuar këto kocka të mbetura nga kufomat e trajtuara në mënyrën më çnjerëzore të mundshme, atëherë patjetër që na kaplojnë emocione të forta dhe është shumë e vështirë t’i përmbash ato, dhe të qetësosh vetën. Mirëpo, duke pasur parasysh situatën dhe rrethanat në të cilat punojmë, neve na duhet të kontrollojmë emocionet, të frenojmë vetën, dhe të paraqitemi krejt në mënyrë tjetër nga ajo që ne në të vërtetë ndihemi.

Ndërsa në ndërdijen tonë, ne flasim me këto pjesë kockore…

– O njerëzit tanë të mirë, urojmë të na falni nëse ne nuk kemi mundur në këto rrethana këtu t’ju bëjmë krejt respektin ashtu siç e meritoni dhe do të duhej t’ua bëjmë juve, engjëjve të pafajshëm, na e bëni hallall nëse nuk e kemi bërë një lutje me zë për shpirtin tuaj, por ta dini se thellë në mendjen dhe shpirtin tonë e kemi bërë këtë.

– Ju jeni më të dashurit tanë dhe gjaku i juaj është vetë liria e Kosovës! Shpirti juaj i dëlirë, dritë pastë!

– Familjet tuaja le ta gëzojnë lirinë e Kosovës, dhe fëmijët tanë le të mos e harrojnë kurrë këtë që ka ndodhur!

(Autori që e ka bërë këtë postim në “Facebook”, Dr. Musa Gashi është specialist i mjekësisë ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe ka qenë pjesë e ekipit profesional në varrezën masive në Kizhevak – Serbi.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK),…