Lumezi viziton organet e drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar

15 nëntor 2018 | 10:27

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë, si dhe, përfaqësues të Ambasadës amerikane në Kosovë dhe Ambasadës britanike në Kosovë, janë në një vizitë tre ditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeprokurori Lumezi dhe delegacioni kosovar do të takohen gjatë ditës me Këshillin Britanik për Politika Ndëshkimore, ku do të shtjellohen tema në lidhje me zbatimin e udhëzuesve për politika ndëshkimore, si dhe, marrja e përvojave britanike me mundësinë që të njëjtat të gjejnë zbatimin edhe në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Po ashtu, me organizimin e Shoqatës shqiptaro-britanike të Avokatëve, Kryeprokurori i Shtetit dhe delegacioni kosovar i drejtësisë, do të marrin pjesë në ligjëratën me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, që do të mbahet në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë ditës së djeshme delegacioni kosovar ka pasur takime me gjykatën më të madhe penale në tërë Mbretërinë e Bashkuar, Old Bailey, ku u shkëmbyen përvojat në lidhje me luftimin efikas të kriminalitetit. Po ashtu, delegacioni kosovar ka vizituar edhe Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.

Vizitën e delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë e ka mundësuar Zyra e UNDP-së në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Ndërtimi i ujëmbledhësve të rinj i hapë kapitull të ri…