LV-ja: Refuzimi i Hotit dhe Haradinaj-Stubllës për raportim, shpërfillje ndaj fatit të të pagjeturve

07 tetor 2020 | 11:52

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas refuzimit të kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla për të raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Kjo lëvizje ka thënë se refuzimi i zyrtarëve qeveritarë për të raportuar në Kuvend është shpërfillje ndaj fatit të të pagjeturve.

Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj anulojnë raportimin për të pagjeturit në Komisionin parlamentar

Pas trajtimit të padinjitetshëm e të turpshëm të çështjes së personave të pagjetur dhe kushtëzimin e kësaj çështje me “personat e zhvendosur”, si dhe pas refuzimit të mëhershëm të Driton Selmanajt me arsyetimin e cilësimin si temë e konsumuar dhe e ezauruar, sot, në mëngjes, Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj Stublla kanë anuluar raportimin e tyre për këtë çështje të rëndësishme e të ndjeshme para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Zbardhja dhe kthimi i të pagjeturve është domosdoshmëri dhe duhet të jetë detyrim për Serbinë. Familjet e personave të pagjetur meritojnë të kenë përgjigjen për fatin e të dashurve të tyre dhe kthimin e trupave në tokën e Kosovës.

Gjetja dhe kthimi i trupave do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut e kurrsesi njëra nga temat që konsiderohen si të ezauruara për të mbetur e mbyllur pa zgjidhje.

Qëndrimi i këtij delegacioni ishte fyes dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Fyes dhe shpërfillës mbetet edhe sjellja e kësaj Qeverie.

Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale dhe për këtë çështje nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi e kushtëzimi.

Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhërdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës me vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e më të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet.

Ndërsa, fshehja dhe heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë. Për më tepër vënja e paraleleve me të zhvendosurit, duke i konsideruar si të zhvendosur brenda vendit të larguarit nga Kosova për në Serbi prejudikon Kosovën si pjesë të Serbisë.

Përkufizimi ndërkombëtar i nocionit “Persona të zhvendosur brenda vendit”, ka kuptimin e largimit të personave për arsye të ndryshme nga vendi i zakonshëm i banimit…, por që nuk kanë kaluar një kufi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

Kësisoj, refuzimi i mëhershëm i Driton Selmanajt dhe refuzimi i sotëm i Avdullah Hotit dhe Meliza Haradninaj-Stubllës, janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj qeverie të fatit të personave të pagjetur. Të pagjeturit po përdoren si monedhë për kusuritje dhe kushtëzim kinse me kthimin e personave të zhvendosur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Mbytja e demokracisë përmes…