Macroni paralajmëron për “pasoja” nga programi bërthamor i Iranit

03 shkurt 2023 | 16:13

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kritikuar “nxitjen e shpejtë” të programit bërthamor të Iranit pas bisedimeve me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ishte në Paris për të kërkuar një qëndrim më të fortë evropian kundër Teheranit, më 2 shkurt.

Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi darke në Pallatin Elysee, Macroni paralajmëroi se vazhdimi i programit bërthamor nga ana e Iranit “do të kishte pasoja të pashmangshme”.

Izraeli ka akuzuar prej kohësh Iranin se kërkon të prodhojë armë bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor synon vetëm prodhimin e energjisë.

Netanyahu shpreson se roli i Iranit në furnizimin me dronë për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, si dhe shtypjen që vendi po i bën protestuesve në vend, do t’i shtyjë aleatët perëndimorë të heqin dorë nga çdo ringjallje e marrëveshjes së programit bërthamor të vitit 2015.

Franca pajtohet se nevojitet “qëndrueshmëri” në marrëdhëniet me Iranin, ka thënë një burim diplomatik për agjencinë e lajmeve “AFP”, duke shtuar se programi bërthamor i Iranit ka arritur në “një pikë të rrezikshme”.

Izraeli nuk e refuzon dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë, ka thënë kryeministri Benjamin Netanyahu, në një intervistë për “CNN”.

Netanyahu ka thënë se “padyshim është duke e konsideruar” ofrimin e mbështetjes ushtarake për Kievin.

Ai ka thënë se Izraeli është i gatshëm të dërgojë në Ukrainë sistemin e mbrojtjes kundër raketave, Iron Dome. Mirëpo, qëndrimi përkrahës i tij Ukrainën nuk është pa rrezik për Izraelin, pasi mbrojtja ajrore ruse e vendosur në Siri mund të kthehet kundër avionëve izraelitë.

Netanyahu, i cili është rikthyer në pushtet në shtator të vitit të kaluar, ka thënë gjithashtu se ai do të ishte i gatshëm të vepronte si ndërmjetës në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës, nëse të dyja palët dhe Shtetet e Bashkuara bien dakord.

Lufta në Ukrainë ka filluar më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e ka quajtur luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës. Perëndimi i është përgjigjur Rusisë me sanksione të ashpra. Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /Rel

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha vazhdon të mbetet…