Majlinda Kelmendi: Ndonjëherë më duket më e vështirë puna e trajneres se ajo e xhudistes

31 mars 2023 | 12:33

Majlinda Kelmendi e mbylli një karrierë të jashtëzakonshme si sportiste pasi fitoi gjithçka që është e mundshme, duke u shpallur kampione evropiane, botërore dhe olimpike.

E pasi u pensionua nga xhudoja aktive në vitin 2021, ajo e nisi zejen e trajneres.

31- vjeçarja, në një intervistë dhënë uebfaqes zyrtare të Olimpiadës, ka folur për eksperiencën e saj të re dhe për synimet që i ka në këtë drejtim.

Por, fillimisht foli për famën që e gëzon në vendin e saj, në Kosovë.

“Popullariteti im është ende i njëjtë. Ndoshta njerëzit më kujtojnë dhe më respektojnë shumë sepse isha e para që fitova çdo titull për vendin në sport”, thotë fillimisht kampionia olimpike në “Rio 2016” dhe dy herë kampionia e botës.

“Ishin disa momente të paharrueshme gjatë karrierës dhe kjo është ndoshta është arsyeja se përse njerëzit nuk do të më harrojnë kurrë”, vazhdoi ajo.

Ajo e pranon se i mungon fakti se nuk do të garojë më pasi e mbylli para kohe karrierën shkaku i lëndimeve.

“Ndonjëherë më mungon gara pasi kam mundur të garoja ndoshta edhe dy apo tri vjet. Por trupi im nuk mund ta përballonte më xhudon. Edhe pse dua të ushtroj, trupi im nuk po më dëgjon më…”, shton Majlinda, e cila ka vuajtur nga dhimbjet në shpinë, të cilat nuk e lanë rehat që nga viti 2015.

Ajo flet për jetën e re si trajnere, të cilën e nisi menjëherë pasi u pensionua.

“Vendosa të bëhesha trajnere, mendoj, para se ta mbyllja karrierën. Më pëlqente të bëhesha trajnerë sepse kur jam në tatami, nuk ka lidhje se ku, ndihem mirë, jam vetvetja”, nënvizoi ajo.

Majlinda e pranon se kjo eksperiencë e re nuk është e lehtë pasi puna e trajnerit është 24/7.

“Kur je sportiste, mendon veç për veten: ushtron, e jep më të mirën dhe kjo është e tëra. E si trajnere, ke nevojë të merresh me personalitete të ndryshme dhe t’ju adaptohesh atyre, nuk mund ta trajtosh secilin në mënyrën e njëjtë. Gjithashtu, është përgjegjësi e madhe sepse secili pret nga unë të jem e mirë dhe e suksesshme, ashtu siç isha si xhudiste. Pra, ishte një periudhë e vështirë, por më në fund e gjeta mënyrën për të trajnuar me garues. Ndonjëherë më duket më e vështirë puna e trajneres sesa e garueses”, tha tutje Majlinda, e cila e konsideron ende veten si asistente e trajnerit.

“Mendoja se do të kisha më shumë kohë pasi u pensionova, por është totalisht ndryshe sepse tash punoj me fëmijë, me kadetë, me juniorë dhe me seniorë. Dhe, udhëtoj shumë, por kjo më bën të lumtur”, shton Kelmendi, e cila i është mirënjohëse për gjithçka trajnerit të saj dhe tash kolegut, Driton Kuka.

“Ai është bosi, unë jam këtu për ta ndihmuar në çdo gjë, varësisht se për çka ka nevojë ai dhe ekipi. Më së shumti punoj në stërvitjet e xhudos”, shpjegon Majlinda.

Kosova, bashkë me Federatën Ndërkombëtare të Xhudos e kanë nderuar Majlindën me një statujë, të vendosur në Pejë.

Dhe, natyrisht që ajo ndihet mjaft e lumtur për këtë dhuratë dhe mirënjohje që ia bëri vendi i saj.

“Kjo më bën mjaft krenare. Imagjinojeni se sa xhudistë janë në botë dhe ata vendosën ta bënin statujën time në vendin tim”, përfundoi Majlinda, e cila synon që si trajnere të fitojë medalje olimpike me garueset dhe garuesit e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sofian Kiyine, një ish-lojtar i Lazios, Chievos, Salernitanas dhe Venecias…