Malisheva bëhet gati për pritjen e mërgimtarëve

12 korrik 2019 | 14:15

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj, kanë pritur të premten në një takim informues Komitetin për Diasporë, organ i Kuvendit Komunal, lidhur me organizimet dhe aktivitetet për pritjen e mërgimtarëve, në veçanti për “Javën e Diasporës”.

Kryetari Begaj dhe drejtoresha Kryeziu-Ramaj, i kanë informuar anëtarët e komitetit për organizimet që planifikohen për pritjen sa më të mirë të mërgimtarëve, si dhe për masat tjera për ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe më të mira për mërgimtarët, në të gjitha fushat e mundshme.

Bazuar në deklarimet në këtë takim është bërë me dije se në kuadër të javës së diasporës, do të jenë disa organizime kulturore, duke filluar me aktivitetin më të madh, mbajtjen e edicionit të gjashtë të festivalit folklorik mbarëkombëtar “Oda e Llapushës”, panairi artizanal, përurime librash, pastaj organizimi i një takimi apo pritje për mërgimtarët.

Po ashtu, është bërë me dije se nga 15 korriku, parkingu i komunës do të jetë tërësisht në shërbim të mërgimtarëve, pastaj masat tjera për ofrimin e shërbimeve që kërkohen nga komuna, shërbime publike dhe të tjera.

Edhe anëtarët e komitetit kanë kërkuar që të ketë aktivitete të tjera shtesë, në mënyrë që të plotësohen nevojat e mërgimtarëve gjatë qëndrimit të tyre në vend, duke përfshirë masat në trafik, furnizim 24 orë me ujë, shërbime më të shpeshta të grumbullimit të mbeturinave dhe masa në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Për të gjitha këto, kryetari Begaj ka thënë se do të jetë në dispozicion të mërgimtarëve.

Gjithashtu, sipas tij, edhe stafi i administratës dhe qeverisë komunale do të jenë të mobilizuar për ofrimin e të gjitha këtyre shërbimeve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i shoqëruar nga…