MAP-i nisi konsultimet publike për tri projektligje

08 qershor 2018 | 11:39

Ministria e Administratës Publike ka filluar sot fushatën e informimit dhe konsultimit të publikut për pakon legjislative të tri projektligje të administratës: Projektligjin për Administratën Shtetërore, Projektligjin për Zyrtarët Publikë si dhe Projektligjin për Pagat.

Ministri Administratës Publike, Mahir Yagcilar, për këtë fushatë e cila do të zgjasë 15 ditë pune, është shprehur se synon përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile për t’i njoftuar me ndryshimet që sjellin këto ligje.

Sipas Yagcilarit sot fillon një fazë qenësore në procesin vendimmarrës në miratimin e pakos për reforma publike.

“Këto tri ligje po bëhen që administrata publike të jetë në shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Në këtë aspekt, më lejoni të nënvizoj disa segmente kryesore për projektligjet. Projektligji për administratën shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionim e institucioneve të administratës publike dhe agjencive të pavarura të themeluara nga kuvendi, qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe performancën e tyre.Ndërsa, projektligji për zyrtarët publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publik në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri”, u shpreh ministri Yagcilar.

Koordinatori Shtetëror për Reforma, Besnik Tahiri, ka thënë se konsultimi publik për pakon e ligjeve të administratës shtetërore, është korniza, themeli dhe shtylla të një shteti funksional evropian.

“Procesi konsultativ për këtë pako të Ligjeve ka qenë i vazhdueshëm me ministrinë, akterët e shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave dhe zyrtarët në të gjitha nivelet, dhe se kjo pako e ligjeve po vjen në një moment të rëndësishëm në Kosovë. Kur flasim për reforma, flasim për rrugëtimin evropian. Ne po e rregullojmë në esencë raportin e institucioneve shtetërore, po e rregullojmë shërbimin civil – zyrtarin publik dhe në bazë meritore po i vëmë koeficientin zyrtar shtetëror”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot…