Maqedonci për blerjen e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë të premten “Radios Evropa e Lirë” se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndrojnë, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.
Maqedonci i ka bërë këto deklarata pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur një ditë më parë se Serbia ka blerë raketa kineze “shkatërruese”.
Bëhet fjalë për raketat balistike supersonike “CM-400” nga Kina.
“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci, duke përmendur se është Serbia ajo e cila shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiqi ka thënë se Serbia i ka integruar me sukses raketat e blera kineze në aeroplanët ushtarakë rusë “MiG-29”, që veçse i zotëron.
“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, ka thënë Vuçiqi.
Presidenti serb nuk ka treguar se sa kushtuan raketat por tha se ato “janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”.
Ministri Maqedonci ka thënë se beson se blerjet e Serbisë nga Kina janë vazhdimësi e politikës së Vuçiqit.
“Republika e Serbisë blerjet ushtarake kryesisht i realizon nga vendet joanëtare të NATO-s. Kryesisht blerjet strategjike Serbia i ka realizuar nga Federata Ruse dhe Kina. Nga Kina, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka prokuruar sistemet raketore kundër-ajrore ‘FK3’, ‘HQ-17’ dhe ‘HQ-9’ si dhe fluturake pa pilot dhe radarë të ndryshëm”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).
Ndaj kësaj blerjeje të Serbisë ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili ka paralajmëruar se për këtë çështje do të diskutojë me aleancën e NATO-s.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiqi ka thënë se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.
Ai ka thënë se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.
Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.



