Maqedonia e Veriut voton presidentin e ri

21 prill 2019 | 11:54

Sot qytetarët e Maqedonisë së Veriut votojnë për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në Maqedoninë e Veriut, në orën 7:00 të mëngjesit janë hapur kutitë e votimit ku rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin presidentin e ri të shtetit.

Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova, kandidate e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Presidenti mund të zgjidhet në rrethin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave nga lista votuese, apo rreth 900 mijë, por deri më tani asnjë president nuk është zgjedhur në rrethin e parë për shkak të numrit të madh të votave që duhet të merr, kështu që në balotazh më 5 maj do të kalojnë dy garuesit me numrin më të madh të votave.

Të dhënat e para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, tregojnë se dalja në votime deri në orën 10:00 ka arritur në 6.05 përqind.

Këto të dhëna kanë të bëjnë me të dhënat e përpunuara nga 75 % të vendvotimeve.

“Dalje më e lartë e qytetarëve në votime është shënuar në Prilep, Demir Hisar, mbi 10 për qind. Më e ulët dalja ka qënë te viset e banuara me shqiptarë si Bogovina, Likova ku dalja e votuesve ka qenë nën 1 për qind”, ka theksuar zëdhënësja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjev, Lubka Guguçevska.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjeku, ish-ushtari i UÇK-së Haxhi Kamberi nga Gjakova ka publikuar…