Masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese

02 prill 2020 | 15:24

Shkruan: Dastid Pallaska

Duke marrë parasysh që aktualisht kemi një Kryeministër në ikje që ekskluzivisht është i përqendruar në fushatë zgjedhore dhe i konsumuar nga konflikti i tij personal me Presidentin, është me rëndësi që deputetët e Kuvendit të marrin përsipër krijimin e bazës së mirëfilltë ligjore për zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Siç është sqaruar tanimë, Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat deri më 13 prill që masat për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 të sillen në përputhje me Kushtetutën. Pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse është i pamjaftueshëm për vendosjen e masave kufizuese në nivel vendi nga Qeveria, është fare e qartë se nevojitet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji nga Kuvendi.

Pasi që kryeministri në ikje ka treguar qartë se është i gatshëm që edhe këtë çështje ta (keq)përdorë për fushatë zgjedhore dhe në betejën e tij personale me presidentin, deputetët e kanë për detyrim që të shqyrtojnë mundësinë e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse si çështje urgjente nëpërmjet nismës legjislative.

Duke marrë parasysh urgjencën e kësaj çështje dhe afatin e shkurtër kohor për veprim që është lënë nga Gjykata Kushtetuese, deputetët mund të marrin një ligj të gatshëm si bazë për këtë nismë legjislative, siç është ligji gjerman për sëmundjet ngjitëse që paraqet një shembull të mirë se si dhe në çfarë shkalle mund të kufizohen të drejtat dhe liritë kushtetuese gjatë kohës së pandemisë.

Thënë këtë – pasi që nga përvoja e dy javëve të kaluara e kuptuam se ne jetojmë në një vend ku as shëndeti publik nuk kursehet nga fushatat politike dhe/apo betejat personale politike – është mirë që të shqyrtohet mundësia që vendim-marrja për vendosjen e masave për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse t’i besohet institucioneve të pavarura shëndetësore, siç është Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike.

Në këtë mënyrë shëndeti publik do të largohej përfundimisht nga kthetrat e politikanëve të papërgjegjshëm, që nuk kursejnë asgjë – e as shëndetin e qytetarëve – në garën e tyre të paskrupullt për përvetësim dhe mbajtje të pushtetit.

Njëkohësisht, nisma legjislative e deputetëve për një çështje me interes publik do të mund të mund të shërbente edhe si mundësi për bashkëpunim të deputetëve përtej përkatësive të tyre partiake, duke filluar kështu shërimin e plagëve të përçarjes që i janë shkaktuar shoqërisë këto ditë nga politikanë të papërgjegjshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur një mbledhje të…