Mbahet dëgjim publik për Projektligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta

07 korrik 2023 | 20:08

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport u mblodh sot në një dëgjim publik, për të shqyrtuar së bashku me përfaqësues të institucioneve, kompanive dhe shoqatave të ndryshme, Projektligjin pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Kryetari i komisionit, Ardian Gola, pasi bëri hapjen këtij dëgjimi publik, ftoi të gjithë përfaqësuesit e pranishëm të paraqesin propozimet e tyre lidhur me projektligjin. Ai e cilësoi këtë projektligj si shumë të rëndësishëm sepse, siç tha ai, tentohet të rregullohen dhe mbrohen të drejtat e autorit.

I pranishëm në dëgjimin publik ishte edhe ministri i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Sugjerimi i tij ishte që të ketë një ekspertizë shtesë në mënyrë që të rregullohen çështjet komplekse të projektligjit.

Gjatë diskutimit të nga të pranishmit u tha se projektligji në fjalë është tejet i rëndësishëm dhe si i tillë rregullon, ndër të tjera, edhe cilësinë e vlerave sidomos në aspektin medial.

Debati kryesisht u përqendrua tek neni 30, me ç’rast u kërkua që të bëhet më i qartë roli dhe kompetenca e Komisionit të Pavarur të Mediave.

Të gjitha komentet dhe sugjerimet do të dërgohen me shkrim në komision, në mënyrë që të merren parasysh për shtjellimin tutje të projektligjit.

Përmes ligjit ndër të tjera do të sigurohet një nivel i lartë i mbrojtjes të të drejtave të autorit, krijimtarisë shkencore e artistike; rregullohet statusi i Task Forcës kundër Piratërisë; ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish i kanë bërë thirrje…