Mbahet Forumi i Biznesit Greqi – Kosovë

27 tetor 2022 | 11:32

Në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë të delegacionit nga Kosova, të udhëhequr nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dje u mbajt Forumi i Biznesit ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.

Ngjarja e përbashkët me pjesëmarrje të bizneseve kosovare dhe greke, me organizim nga Agjencia për Promovimin e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Athinës, filloi me fjalimet përshëndetëse të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapje të Greqisë, Kostas Fragogiannis dhe vazhdoi me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit nga KIESA, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me Enterprice Greece, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Ministrja Hajdari ka theksuar se Forumi i Biznesit paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Greqisë dhe Kosovës dhe përmendi vizitat e fundit më të shpeshta zyrtare në nivel politik ndërmjet dy vendeve.

“Greqia është një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën, dhe sot jemi në Athinë, një nga qytetet më të vjetra në botë, së bashku me ndërmarrësit tanë me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorë të industrisë së drurit, tekstilit, ndërtimit, dizajnit grafik, energjisë së ripërtërishme, metalit, produkteve plastike dhe agro-produkteve. Prezenca jonë sot në Athinë është për të përcjellë përkushtimin e qeverisë së Kosovës së bashku me ndërmarrësit tanë, që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm dhe me përfitime reciproke”, ka deklaruar Hajdari.

Ministrja Hajdari ka potencuar zotimet dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës, duke qenë gjithmonë e orientuar drejt BE-së me zbatimin e suksesshëm të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA) dhe siguroi se do të jetë gjithmonë me shikim nga Perëndimi.

Ajo sjelli në pah sektorët industrialë kryesorë dhe në rritje, që janë me potencial plotësues në zinxhirin rajonal të furnizimit dhe i njoftoi për veprimet e qeverisë, që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit për të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, zëvendësministri Fragogiannis ka theksuar përkushtimin e Greqisë për thellimin e raporteve me Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e bashkëpunimit reciprok në mes dy vendeve për zhvillim ekonomik dhe rajonal.

Ai ka potencuar dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes Greqisë dhe Kosovës në pesë vitet e fundit dhe shprehi gatishmërinë në arritjen e rezultateve konkrete në projekte me interes të përbashkët për të dy vendet.

Forumi u përmbyll me takimet e rrjetëzimit të bizneseve kosovare – greke, të cilat shkëmbyen përvojat dhe janë potencial për krijimin e partneriteteve dhe të rritjes së bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Greqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti është mbajtur mbrëmë takimi…