AShAK-u mban mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja
Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK) është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së akademik Rexhep Qosja.
Komemoracionin e ka hapur kryetarja e AShAK-ut, akademike Justina Shiroka Pula, e cila fillimisht i ka ftuar të gjithë të pranishmit për një minutë heshtje. Kryetarja Shiroka Pula, në fjalën hyrëse e ka vlerësuar lartë figurën e akademik Rexhep Qosjes dhe ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe mbarë vendin.
Në vazhdim fjalë rasti ka mbajtur kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në fjalën e tij, Kurti ka vlerësuar lartë figurën e akademik Qosjes, kontributin e tij në historinë e letërsisë shqipe, si dhe rolin dhe kontributin e tij për vendin në të gjitha kohërat.
Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh), fjalë rasti ka mbajtur akademike Anila Hoda, sekretare shkencore e AShSh-së, e cila ka përcjell ngushëllimet e kryetarit të AShSh-së, akademik Skender Gjinushit, të Kryesisë dhe të Asamblesë së AShSh-së.
Për jetën dhe veprën e akademik Rexhep Qosjes, ka folur akademik Ali Aliu.








