Mbrojtësit e moralit të revolucionit kanë hapur gjyq publik ndaj medieve

19 qershor 2023 | 08:25

Opinionisti Agon Maliqi ka bërë një krahasim mes funksionimit të medieve në skenën politike të viteve ’90 dhe të sotme.

Duke drejtuar kritika ndaj qeverisë Kurti, ai tha se sistemeve të këtilla, siç e quajti regjim, u vjen fundi bujshëm.

“Në vitet ’90, në ato pak media që ekzistonin, euforia e LDK-së si lëvizje popullore e prodhoi një kastë intelektualësh arrogantë dhe disiplinues që e mbronin Rugovën si hyjni dhe shpallnin tradhëtarë në të gjitha anët. Askush nuk kishte të drejtë të fliste sepse LDK-ja i kishte fituar 90 %. ‘Historia fillon me ne!’

U desh të dilte UÇK-ja që të dilte në sipërfaqe akumulimi i ndrydhur i frustrimeve nga politika skajshmërisht pacifiste së cilës i kishte skaduar afati. Historia më pas u bë dikush tjetër. Me dhunë”.

Maliqi në rrjetin social Facebook, mes të tjerash, ka komentuar edhe vendimin e MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

“Tani është viti 2023 dhe jemi pranë riinterpretimit të tretë hegjemonik dhe revolucionar të historisë brenda jetës sime. Dhe regjimi i ri nuk ka mësuar asgjë nga paraardhësit. Intelektualët e vet arrogantë dhe disciplinues – apostujt e prijësit shpirtëror dhe mbrojtësit e moralit të revolucionit – kanë hapur gjyq publik ku japin certifikata integriteti dhe e delegjitimojmë dhe intimidojnë çdo zë bie ndesh me dogmën zyrtare.

Duartokiten në masë nga turma e dehur në delir sovranist që i gëzohet mbylljes së mediave. Kritika që u vjen gjithsesi duhet të jetë nga rrymat e së kaluarës ku gjithçka ishte e errët. Përveçse është serbe është edhe kriminale. “Historia fillon me ne!” E nëse historia na ka mësuar diçka, atëherë na ka mësuar se fundi i regjimeve të tilla arrogante ndoshta vonohet gjatë – por kur vjen, vjen bujshëm!”, ka shkruar Maliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Humanistja britanike, Sally Becker ka ndihmuar gratë dhe fëmijët gjatë…