‘Më ka marrë malli të dëgjoj rok në kafiteritë e Prishtinës’. Krasniqi tregon si e njohu figurën e Thaçit

16 shkurt 2024 | 12:07

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka treguar se si e kishte njohur figurën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në ceremoninë e mbrëmshme të promovimit të librit “Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi, një biografi”, ai ka treguar rrëfime personale me njeriun me të cilin ka bashkëpunuar për 15 vite.

Para të pranishme në ceremoni, Krasniqi ka treguar se për herë të parë me figurën e Thaçit ishte njohur përmes një interviste që Thaçi kishte dhënë për “Kohën Ditore” në vitin 1998.

“‘Më ka marrë malli të dëgjoj rok në kafiteritë e Prishtinës – do të shihemi së shpejti në liri!’. Kështu disi ishte titulli i artikullit nga një deklaratë e komandant ‘Gjarpërit’, dhënë ‘Kohës Ditore’ në vjeshtën e vitit 1998 dhe përmes këtij artikulli u njoha për herë të parë me figurën e Hashim Thaçit. Ishte një intervistë dhënë nga zonat e luftës, e cila, përkundër rrethanave në të cilën ishte zhvilluar, ishte më ndryshe dhe reflektontë një vizion e besim të madh”, ka thënë Krasniqi.

I pari i PDK-së ka vlerësuar se fjalët e Thaçit tregonin për personalitetin e tij.

“Ishin fjalë të cilat nuk mund të injoroheshin, sepse, sado që dukeshin utopike në atë periudhë, kur lufta frontale kishte marrë përmasa të mëdha, ky djal i ri në moshë, po fliste për lirinë që po vinte, qetësisht e besimplotë. Ato që i kishte thënë, ditë pas dite, betejë pas beteje, fitore pas fitoreje – po bëheshin realitet për Kosovën. Një djalë i ri, i guximshëm padyshim, që kishte mbyllur në sirtar ëndrrat e tij personale, për të jetësuar ëndrrat e një populli për liri dhe pavarësi. Njëjtë si edhe shumë e shumë bij e bija të zgjedhura të kombit tonë. Një 30-vjeçar, që e kishte kuptuar fare mirë se në jetë, e posaçërisht në luftë, asgjë nuk të jepet falas”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se ato fjalë ishin mësim për të.

“Ndoshta mësimi i parë që mora prej tij ndërlidhej pikërisht me këtë: se qëllimi arrihet vetëm me besim të plotë dhe pa kalkulime personale. Dhe ashtu siç e kishte thënë në atë intervistë – shihemi së shpejti në liri – e takova për se pari në vitin 2000 dhe pak vite më vonë u bashkova në rrugëtimin e tij në shërbim të vendit dhe qytetarëve tanë. I besova vizionit të tij për Kosovën që duhej bërë, ashtu siç i kisha besuar intervistës së tij, pa e njohur personalisht”, është shprehur Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një…