Me sukses përfundojnë Ligat Universitare dhe Kampionati i BeachVolleyt

13 qershor 2021 | 17:40

Në një ambient të mbushur me studentë dhe drejtues të sportit vendor, u dhanë shpërblimet për triumfuesit e Ligës Universitare në Futsal, Ligës Universitare në Pingpong dhe të Kampionatit në Beach Volley.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet përmbyllës ishin: kryetarja e FSUNK-së, Diellza Shaqiri-Kelmendi, anëtarët e bordit drejtues dhe sekretarja e Federatës, Venita Smakaj, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fitim Arifi, nënkryetarja e Komitetit Olimpik të Kosovës, Mimoza Shkodra, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi dhe përfaqësues të tjerë.

Liga Universitare e nisur më 5 mars 2020, dhe e pezulluar për një kohë si pasojë e pandemisë Covid-19, na ka shoqëruar gjatë tre muajve të kaluar, duke u mundësuar studentëve aktivitete në sportin në të cilin janë angazhuar, rrjetëzim dhe mundësi për t’u promovuar më tepër vetiu si ekip, por edhe për ta promovuar sportin te studentët që përkon me vetë qëllimin e FSUNK-së.

Ekipi fitues i Ligës Universitare në Futsal është UP FEFS 2, ndërkaq golashënues i ligës u zgjodh studenti Altin Imeri, me gjithsej 12 gola të shënuara. Për suksesin e shënuar në Ligën Universitare në Pingpong u shpërblyen: UP FEFS (Meshkujt) dhe UP FEFS (Femrat). Ndërkaq fituesit të cilët do t’i përfaqësojnë studentët kosovarë në Kampionatin e Sportit Universitar në Shqipëri, të cilët janë njëherësh fitues të Kampionatit të Beach Volleyt, janë: Dhurata Sylejmani dhe Valmira Ramadani në konkurrencën e femrave, si dhe Arti Terstena dhe Ermal Maliqi në konkurrencën e meshkujve. E lumtur për organizimin e suksesshëm të këtyre aktiviteteve të rëndësishme për sportin universitar u shpreh presidentja Diellza Shaqiri-Kelmendi. Ajo theksoi se të gjitha këto aktivitete patën sfidat e tyre, por rezultati që dhanë, si dhe entuziazmi që lojërat falën te studentët dhe organizatorët, paraqesin një sukses të radhës për FSUNK-në. Federata falënderon studentët për vullnetin e shfaqur dhe suksesin e shënuar, universitetet partnere dhe të gjitha palët e përfshira për realizimin e suksesshëm të Ligave Universitare dhe të Kampionatit të BeachVolleyt. FSUNK-ja edhe më tutje do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat synim parësor kanë promovimin e sportit në ambientet universitare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Britaninë e Madhe ka përfunduar samiti i shtatë vendeve…