Mediet italiane kërkojnë më shumë minuta për Edon Zhegrovën te Juventusi
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, duhet t’i japë më shumë minuta sulmuesit kosovar Edon Zhegrova. Të paktën këtë vlerësim e kanë bërë disa prej mediave të njohura italiane dhe evropiane pas paraqitjes së tij në fitoren 2:0 ndaj Napolit.
Ylli i Kosovës ishte sërish protagonist te “Zonja e Vjetër”, duke asistuar në njërin prej golave të skuadrës.
Me inkuadrimin e tij në fushë, Zhegrova i dha më shumë gjallëri sulmit të Juventusit, duke tentuar vazhdimisht driblime dhe harkime, si dhe duke provuar dy herë të shënonte nga distanca.
Një statistikë interesante është se Zhegrova, brenda vetëm tri minutave, regjistroi më shumë goditje sesa dy qendërsulmuesit Kolo Muani dhe Nick Woltemade gjatë gjithë ndeshjes.
Pas paraqitjes së tij, disa media të njohura, si “Goal”, “Tuttomercatoweb” dhe “Corriere della Sera”, kanë vlerësuar se sulmuesi kosovar meriton më shumë hapësirë në skuadrën e Spallettit.
“Nga një aksion i tij lindi goli për 1:0. U fut në lojë dhe i dha gjallëri skuadrës. Padyshim, meriton më shumë hapësirë”, ka shkruar “Tuttomercatoweb”.
“Freskia dhe energjia e re që bëjnë diferencën”, ka vlerësuar “Corriere della Sera”.
Ndërkaq, “Goal” ka veçuar ndikimin e Zhegrovës në sulmin e Juventusit dhe presionin që ai i shkaktoi skuadrës mysafire.
“I futur në lojë në minutën e 59-të, Zhegrova solli freski dhe më shumë depërtim në sulmin e Juventusit. Rreth minutës së 75-të, ai pati dy goditje radhazi që u bllokuan nga mbrojtja e Napolit, duke e mbajtur kundërshtarin nën presion, ndërsa Juventusi kërkonte golin e fitores”, ka shkruar “Goal”.



