Mehaj merr pjesë në takimin e udhëhequr nga sekretari amerikan i Mbrojtjes

23 maj 2022 | 17:36

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë të hënën në mbledhjen e ministrave të 44 shteteve të botës, të drejtuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III, në kuadër Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka publikuar një fotografi dhe videon hyrëse të këtij takimi, në të cilën Kosova po merr pjesë si anëtare e re.

“Sot, ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj, virtualisht i është bashkuar sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III dhe kolegëve nga shtetet nga e gjithë bota, të zotuar për ndihmë ndaj Ukrainës në luftën e saj ndaj pushtuesve rusë. Kjo është mbledhja e dytë e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës”, është thënë në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë

Ambasada amerikane ka shkruar se “Kosova vazhdon të demonstrojë lidershipin e saj dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës, duke fuqizuar sanksionet e ShBA-së dhe BE-së, dhe duke ofruar përkrahje humanitare refugjatëve dhe gazetarëve. Po ashtu, duke i dënuar veprimet e padrejta, të paprovokuara dhe vrasëse të Rusisë”.

Ndërsa, ministri Mehaj pas takimit ka shkruar se Kosova, si një vend që ka përjetuar padrejtësi, si Ukraina, nuk e ka pasur të vështirë të pozicionet krah saj dhe kundër agresionit rus.

“Përkrahim plotësisht sanksionet e vendeve aleate ndaj Rusisë, e po ashtu jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë në koordinim me NATO-n, BE-në, strehim për refugjatët dhe për gazetarët të cilët janë të rrezikuar çdo ditë nga agresori rus që nuk dëshiron që bota të kuptoj gjenocidin që po ndodhë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëra nga basketbollistet më të mira të Kosovës padyshim është…