Mendim i papërkorë i ministres së MAShTI-t!

05 janar 2024 | 16:44

Hasan Mujaj

Rezultati i dobët i nxënësve në testin “Pisa” është pasojë e mosmbikëqyrjes profesionale të arsimit nga institucionet kompetente këtu e mbi tridhjetë vjet më parë!
Para disa ditësh, në mediet e ndryshme, u publikua qëndrimi i ministres së MAShTI-t A. Nagavci sipas të cilit, nga qershori i vitit 2024, mësimdhënësit do ta kenë obligim t’i nënshtrohen testimit profesional me shkrim për t’u verifikuar dituritë e tyre të mësimdhënies, sidomos nga lëndët: Gjuhë e letërsi shqipe dhe Matematikë. Nuk mund të ngrihet Ministria mbi fakultetet.
Nëse ajo (ministrja) ka menduar në provimin e dikurshëm profesional, duhet ta dijë se atë kanë të drejtë ta organizojnë dhe ta ekzekutojnë fakultetet përkatëse në të cilat diplomojnë arsimtaret e arsimtarët, por jo Ministria e Arsimit! Sepse, siç dihet, Ministria nuk e ka kuadrin kompetitiv që e kanë fakultetet për të mbajtur provime për arsimtarët!
Po qe se Ministria do ta bëjë të obligueshëm provimin profesional, që është në kompetencë ligjore të saj, ky provim mbahet në fakultetet në të cilat kanë diplomuar arsimtaret/arsimtarët, pjesa teorike me shkrim dhe pjesë përbërëse e këtij provimi është edhe praktika: mësimdhënësja/mësimdhënësi duhe ta mbajë një orë mësimi në praninë e profesorit të metodikës së lëndës për t’u parë performanca e bartjes së mësimit nga arsimtarja/arsimtari te nxënësit.
Konstatimi imagjinar i ministres se: “në qershorin e vitit 2024 synojmë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi” sa është diletant, aq edhe frapant. Ky lloj provimi nuk do të sjellë asgjë të re sa i përket cilësisë së mësimdhënies. Assesi. Dikur ka pasur mësues në klasat e larta të shkollës fillore vetëm me përgatitje të mesme shkollore, megjithëkëtë ka pasur shumë nxënës të shkëlqyeshëm. Përse?
Për arsye se veprimtaria arsimore – edukative ka pasur mbikëqyrje profesionale nga shërbimi pedagogjik sipas së cilës (mbikëqyrje) mësimdhënësit kanë qenë të obliguar që ta përgatisin edhe në formë të shkruar ecurinë e orës mësimore sipas kritereve të dijeve metodologjike. Rezultati i dobët i nxënësve në testin “Pisa” nuk është rrjedhojë e mospërgatitjes së duhur profesionale të arsimtarëve në fakultete, porse është pasojë e mosmbikëqyrjes profesionale të arsimit nga institucionet kompetente këtu e mbi tridhjetë vjet më parë!
Arsimtaret/arsimtarët dalin shumë të përgatitur nga fakultetet, mirëpo ekziston dyshimi se nuk bëjnë përgatitje të duhur nergut për zhvillimin e njësive mësimore në klasë sipas kritereve të avancuara metodike, didaktike, interaktive etj. pasi nuk kanë vrojtim nga shërbimi përkatës që mungon, të cilin duhet ta themelojë Ministria e Arsimit në drejtoritë komunale të arsimit. Pikërisht këtu qëndron e meta e madhe e Ministrisë: kërkon cilësi të arsimit që nuk e ka në vëzhgim të vazhdueshëm profesional me vite të tëra.
Shprehur me stilin konotativ (metaforik), mund të thuhet se Ministria nuk e kap çështjen në trajtim nga rrënja, por nga pipthi (testi me skrim), i cili nuk siguron cilësi dhe të mos pritet për të rirë diç në fushën e mësimdhënies. Si të veprohet më tej?
Nga ky kënd vështrimi do parë se në ç’mënyrë veprohet në shtetet më të zhvilluara? Po e sjell si shembull zhvillimin e mësimdhënies në arsimin e Zvicrës. Në këtë shtet shkollat kanë mbikëqyrje të vazhdueshme, e cila trupëzohet nga dy veprimtari të shërbimit pedagogjik në nivel komunash (Pedagogische Dienst): 1. nga pjesëmarrja e këshilltarit pedagogjik në orën e mësimit, i cili vlerëson përgatitjen e arsimtarit për zhvillimin e njësisë mësimore nga aspekti metodik me mjetet përkatëse të konkretizimit për ta bërë atë (njësinë mësimore) sa më të kapshme nga nxënësit si dhe nga pikëpamja e njohjes shkencore të lëndës.
Këshilltari, në konsultë me arsimtarin, parashtron vlerësimin e ecurisë së orës mësimore, këshillon për të mënjanuar ndonjë të metë eventuale dhe i dorëzon raport me shkrim për vlerësimin e punës së arsimtarit drejtorit të shkollës dhe drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit.
2. Veprimtaria tjetër e shërbimit pedagogjik gjatë vitit shkollor ka të bëjë me organizimin e seminareve të shpeshta profesionale njëditore më shumë të natyrës së metodologjisë në të cilat ( seminare) shtrohen, diskutohen e trajtohen nga këshilltarët pedagogjikë dhe arsimtaret/arsimtarët çështje të lartësimit të cilësisë së mësimit sipas ecurive dhe mjeteve të avancuara të konkretizimit me qëllim që mësimi dhe edukimi i nxënësve të kalojnë nga teoria në praktikë. Kështu nuk veprohet në Kosovë!

Faji – te MAShTI!

Pra, cilësia e arsimit mund të ngrihet nga mbikëqyrja profesionale përkatëse; është pa themel, i paqëndrueshëm tërësisht konstatimi i Ministrisë se arsimtaret/arsimtarët janë të papërgatitur; deficiti nuk qëndron te kompetenca, por te performanca për të cilën mund të thuhet se mësimdhënëset/mësimdhënësit nuk bëjnë përgatitje metodologjike ngase e dinë se nuk kanë mbikëqyrje. Sikundër shihet, faji është te Ministria. Por, kështu ndodh kur në krye të ministrive emërohen njerëz jokompetentë (si në fushën e këtij vështrimi).
Në arsimin e Kosovës nuk ekziston shërbimi i mbikëqyrjes profesionale, të cilit i vihet detyrë të ndjekë dhe të vlerësojë kompetencën dhe performancën e arsimtarëve/arsimtareve sikundër veprohet në Zvicër që u paraqit në këtë shkrim. Përveç mungesës së shërbimit pedagogjik, në cilësinë e ulët të arsimit ndikojnë edhe faktorë të tjerë si: pajisja e shkollave me mjetet e teknologjisë moderne, me biblioteka të pasura etj.Të gjitha këto i përkasin Ministrisë.
Së fundi, do thënë: hëpërhë nuk mund të fajësohen arsimtaret/arsimtarët, por MAShTI që nuk e formon shërbimin pedagogjik për mbikëqyrjen profesionale të veprimtarisë së arsimit në kuadër të drejtorive komunale të arsimit siç veprohet në shtetet më të zhvilluara.
Dy vlerësime negative të performancës nga këshilltari pedagogjik, nëse nuk ka përmirësim, arsimtarja/arsimtari duhet ta lirojë vendin e punës. Kjo mënyrë veprimi siguron të ngrihet cilësia e arsimit dhe jo testi me shkrim i arsimtarëve!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…