Mick Schumacher: Prisja rinovimin, do të rikthehem në Formula 1

17 nëntor 2022 | 12:55

Piloti gjerman Mick Schumacher ka mbetur i zhgënjyer nga vendimi i marrë prej makinës amerikane Haas, që nuk ia rinovoi kontratën. Vendin e tij do ta zërë Nico Hulkenberg.

Gjithsesi, djali i 7 herë kampionit të botës nuk heq dorë nga Formula 1 dhe shprehet se do ta rishohim shpejt në pistë. Mick rrëfen gjithçka përmes një komunikate për shtyp, në prag të garës së fundit në Abu Dhabi.

“Kjo do të jetë gara ime e fundit me Haas. Nuk dua ta fsheh faktin se kam mbetur i zhgënjyer nga vendimi për të mos rinovuar kontratën mes nesh. Gjithsesi, dua të falënderoj Haas, F1 dhe Ferrari për mundësinë që më dhanë”, ka thënë fillimisht Mick Schumacher.

“Këto vite që kaluam së bashku më kanë ndihmuar të rritur si nga ana teknike ashtu dhe ajo personale. Sidomos në momentet e vështira kam kuptuar se sa shumë e dua këtë sport. Disa herë ka qenë e vështirë, por jam përmirësuar në mënyrë konstante, kam mësuar shumë dhe e di se meritoj një vend në Formula 1. Momentet e vështira të bëjnë më të fortë. Brenda meje digjet zjarri për Formula 1 dhe do të punoj fort për t’u rikthyer”, ka shtuar Mick Schumacher.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga viti 2033, Volkswagen, prodhuesi kryesor i veturave në Evropë,…