Milani fiton me përmbysje ndaj Celticut, fiton edhe Tottenhami

03 dhjetor 21:30

Kanë përfunduar 12 ndeshjet e orës 18:55 në Europa League. Milani shënoi 4 gola, përmbysi disavantazhin e dyfishtë të Celtic, fitoi 4-2 në “San Siro” ndaj skuadrës skoceze dhe siguroi kualifikimin, kjo edhe falë fitores së arriti Lille përballë Sparta Prague (2-1).

Ndeshja nisi keq për kuqezinjtë, që pësuan gol në minutën e shtatë. Australiani Rogic përfitoi nga një pasiguri e Krunic dhe mposhti Donnarummën. Më pas erdhi dëmtimi i Simon Kjaer, i cili i ka vendin kapitenit Romagnoli.

Minuta të këqija për ekipin italian, që pësoi golin e dytë në minutën e 14-të. Francezi Odsonne Edouard autori i golit dhe 0-2 për Celtic. Milani u karikua dhe nisi përmbysjen e madhe. Hakan Çalhanoglu realizoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi në minutën e 24-t.

Topi në rrjetë dhe kuqezinjtë morën zemër. Dy minuta më vonë erdhi edhe goli i barazimit me Samu Castillejo. Kaq për pjesën e parë, teksa në fraksionin e dytë të ndeshjes shkëlqeu Jens Hauge. 21-vjeçari norvegjez realizoi një eurogol në minutën e 50-të.

Vikingu ofensiv shfaqi sërish klas në krahun e majtë të sulmit në minutën e 82-të. Asist perfekt për Brahim Diaz dhe gol i spanjollit. Përfundimisht 4-2 për ekipin e Piolit, që bashkë me Lille sigurojnë kualifikimin për më tej në këtë kompeticion.

LASK-Tottenham përfundoi në një barazim spektakolar. 3-3 u mbyll takimi i luajtur në Austri, rezultat që i mjaftoi djemve të Jose Mourinhos të arrijnë kualifikimin. Bale dhe Dele Alli realizuan nga pika e bardhë, teksa golin për miqtë nga Anglia e gjeti edhe Son Heung-Min.

Në raundin tjetër të Europa League kaluan edhe Villareal (fitoi 0-1 në Turqi ndaj Sivasspor), Dinamo Zagreb (mposhti 0-2 jashtë fushe Feyenoord), belgët e Antwerp, portugezët e Braga dhe Crvena Zvezda, të cilëve u mjaftoi barazimi pa gola në shtëpi kundër gjermanëve të Hoffenheim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka shprehur ngushëllimet familjes…