Milani vë në dyshim të ardhmen e Igli Tares, në sfond shfaqet ‘magjistari’ i Atalantës
Strategjia e Milanit do të përcaktohet pas mbylljes së sezonit, kështu është vendosur. Sigurisht, teksa klubi kuqezi pret të mësojë fatin e tij, lëvizjet në merkato vazhdojnë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për lojtarët, por edhe për drejtuesit.
Verën e kaluar, kur Furlani zgjodhi drejtorin sportiv, mes kandidatëve ishte edhe Tony D’Amico, aktualisht tek Atalanta. Ai vendosi për Igli Taren, i cili sot, ashtu si gjithë të tjerët, është në dyshim. Solli te Milani një lider si Modriç, por shpenzimet e tjera nuk u përgjigjen rezultateve. Prandaj dhe D’Amico ndjek me interes situatën te kuqezinjtë.
Pas kalimit nga Verona në 2022-shin, D’Amico ka qenë protagonist tek Atalanta, duke sjellë një Europa League në Bergamo, një Kupë Italie dhe dy kualifikime në Champions. Ai di mjaft mirë që të bashkojë konceptet e fitores sportive me qëndrueshmërinë financiare.
Te Verona ka bërë tre lëvizje të mëdha, që kanë sjellë fitime për klubin, si Kumbulla, Rrahmani dhe Amrabat. Për të tre u paguan më pak se 4 milionë euro dhe u shitën për mbi 60 milionë euro.
Tek Atalanta ai ka transferuar Ederson, De Ketelaere (nga Milani), Scamacca, Hien, Retegui, Kolasinac. Reteguin e mori për 20 milionë euro dhe më pas e shiti sulmuesin në Arabinë Saudite për 65 milionë. Një drejtor sportiv që sjell rezultate në fushë dhe në arkat e klubit. Nëse Igli Tare do të lironte vendin, D’Amico do të ishte gati.



