Milosheviqi II, ultimatum NATO-s!

28 shtator 2021 | 16:07

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të këtij viti në Nju Jork me shumë arsye kryetari i Kroacisë z. Milanoviqi dhe kryetari i Malit të Zi M. Gjukanoviqi, në fjalimet e tyre zyrtare, e kualifikuan Vuçiqin njeri të rrezikshëm për paqen në Ballkanin Perëndimor!

Nga Hasan Mujaj

Ironi e shekullit! E pabesueshme, por e vërtetë. Aksiomë! Mos është qesëndi? Me metaforat që përfaqësojnë fuqinë e fitores, ultimatumi i Vuçiqit mund të krahasohet sikur milingona t’i japë ultimatum shkëmbit të bjeshkës se do ta rrënojë!
Milosheviqi i ri duket se e ka harruar nënshkrimin e kapitullimit të humbjes së luftës në Kosovë me NATO-n dhe UÇK-në, d.m.th. e ka humbur Kosovën që deshi ta mbante të okupuar me luftë. Pra, nënshkroi dorëzimin dhe detyrimin e ikjes me turp nga Kosova pas shumë masakrave ndaj popullatës civile: pleq, gra, fëmijë etj.
Milosheviqi i ri tani bën provokime e pretendime për ta cenuar sovranitetin territorial të shtetit të Kosovës. Ai, si bashkëpunëtori më i ngushtë e më besnik i kriminelit më të madh në Ballkanin Perëndimor që ishte, vazhdon ta ndjekë me përpikëri politikën e diskriminimit e të aneksimit të territoreve të shteteve përreth me akte të grupeve terroriste serbe, ruse, proruse e mercenarë të tjerë.
Zatën kjo është strategji e hershme e okupimit serb të territoreve të huaja me qëllim të formimit të Serbisë së Madhe që nga “Naçertanija” (emri i platformës politike) e I. Garashaninit e V. Qubriloviqit e pasuar dhe e tumirur më vonë nga D. Qosiqi, e trupëzuar me luftë nga Milosheviqi I dhe tani e vazhduar nga Milosheviqi II.
Luftënxitësi i të gjitha krimeve dhe i gjenocidit e etnocidit ndaj boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve etj., Milosheviqi i dytë tani po i fton qytetarët serbë të Kosovës që të protestojnë e të vendosin barrikada në rrugët kryesore për të penguar lëvizjen e lirë ndërshtetërore të njerëzve e të mallrave. Madje, i jep “ultimatum 24 orë” NATO-s se do të ndërhyjë po qe se nuk tërhiqet njësia speciale e policisë së Kosovës. Milosheviqi i dytë me ultimatum kërkon largimin e njësisë speciale nga Veriu i Kosovës që është pjesë e pandarë e Kosovës! Narcizëm i paparë!
Ç’i duhet Vuçiqit nga lëviz njësia speciale e policisë së Kosovës?
Njësia speciale e policisë së Kosovës është në territorin e vet. Ajo nuk e ka sulmuar askënd, por kujdeset për paqen, për zbatimin e ligjshmërisë dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve të atjeshëm pa dallim të përkatësisë etnike.
Milosheviqi II pretendon ta aneksojë këtë tokë të shtetit të Kosovës, andaj edhe e kërkon me aq ngulm formimin e asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Këtë e do jo pse serbëve të Kosovës u mungojnë të drejtat nacionale, ekonomike, sociale etj. por për ta uzurpuar territorin. Tendencat e këtilla janë parë edhe ndaj Malit të Zi ku e organizoi puçin e dështuar. Vuçiqi përditë i grish qytetarët serbë të Kosovës të qëndrojnë në protesta e bllokada rrugësh: “Serbia është me ju”- u del zot atyre!
Është për befasi të madhe, tejet të madhe dhe për kritikë pse BE-ja nuk e emërton haptazi fajtorin e nxitësin e situatës së nderë në Veri të Kosovës, por provon ta ndajë fajin në dy pjesë! Shumë komike! E padrejtë. A e ka parë BE-ja se politika e Vuçiqit me detyrim po sjell njerëz – protestues nga Beogradi në Jarinjë e Bërnjak; vetëm mbrëmë erdhën dy autobusë me targa të Beogradit me rreth njëqind protestues afër kufirit me Kosovën! Pra, Qeveria e Milosheviqit II po i organizon dhe po i drejton protestat e barrikadat e rrugëve. Madje të hënën nuk punuan as shkollat e atjeshme sepse arsimtarët u ftuan në protesta!
Reciprociteti i targave të automjeteve është vendim shumë i drejtë i Qeverisë së Kosovës madje i vonuar. Këtë e vlerësoi drejt edhe ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviq. Ai tha: “Vuçiqi vetë e nënshkroi marrëveshjen me Kosovën për targat. Ishte pjesë e marrëveshjes. Vuçiqi, Daçiqi e Vulini kudo që i mbronin serbët, nuk ka më serbë.” Kjo do të thotë se ata flasin kuturu. Mendim faktik e korrekt i ish- kryeministrit Zhivkoviq.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të këtij viti në Nju Jork me shumë arsye kryetari i Kroacisë z. Milanoviq dhe kryetari i Malit të Zi M. Gjukanoviq, në fjalimet e tyre zyrtare, e kualifikuan Vuçiqin njeri të rrezikshëm për paqen në Ballkanin Perëndimor! Presidenti kroat shtoi se Vuçiqi “ishte një nga nxitësit më të spikatur të luftës të viteve 1990.” Kjo po dëshmohet në praktikë. Milosheviqi II ndjek e zbaton hipokrizinë e mashtrimin edhe për popullin serb dhe për bashkësinë ndërkombëtare.
Habit e dhëna e mosreagimit teorik të UÇK-së si vlerë sipërore çlirimtare e lirisë së Kosovës që është si dhe mosreagimi i AShAK-ut si burim i dijes dhe i vlerave gjithëkombëtare që është ndesh ekspozimit të hiperbolizuar ushtarak me helikopterë e avionë të luftës dhe kërcënimit të Beogradit zyrtar për ndërhyrjet në punët e brendshme dhe për tentimin e shkeljes së sovranitetit territorial të shtetit të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inspektorët e Inspektoratit të Tregut në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë…