Ministri Berisha në Hungari flet për transformimin e FSK-së në ushtri

23 nëntor 2018 | 17:07

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, me ftesë zyrtare të ministrit të Mbrojtjes të Hungarisë, Tibor Benko, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Budapest.

Ministri Berisha ka falënderuar shtetin hungarez për të gjithë kontributin afatgjatë që ka dhënë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Po ashtu, Berisha ka falënderuar Hungarinë kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe garantimin e një ambienti të sigurt si pjesë e rëndësishme e KFOR-it në Kosovë.

Gjatë takimit të përbashkët, ministri Berisha e ka informuar ministrin hungarez, Tibor Benko me të arriturat e FSK-së, zhvillimin e saj si forcë profesionale dhe shumetnike, si institucioni më i besuar në vend, me përfaqësim të gjinisë femërore në mbi 8 për qind integrim të plotë të komuniteteve si dhe për bashkëpunimin e mirë rajonal dhe ndërkombëtar.

Gjithashtu, ministri Berisha e ka njohur ministrin hungarez edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së, ecurinë e procedimit dhe miratimit të draftligjeve të cilat janë në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Procesi i tranzicionit është një proces transparent, gjithëpërfshirës duke u bazuar në procedurat e rregullta parlamentare dhe në diskutime publike me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Berisha.

Më tutje, Berisha e ka informuar homologun hungarez edhe me kampanjën që Ministria e FSK-së dhe liderët e saj kanë zhvilluar në qendrat më të mëdha, si në Bruksel, Uashington, Londër, Paris, Romë, Berlin etj. si dhe për vizitat në vendet e rajonit për procesin e tranzicionit të FSK-së, duke i siguruar kështu partnerët për një transparencë të plotë mbi procesin e tranzicionit.

Ministri Berisha e rikonfirmuar gatishmërinë e Kosovës që me kapacitetet që FSK-ja do t’i ketë me misionin dhe detyrat e reja do t’i kontribuojmë paqes në Kosovë, rajon e me gjerë së bashku me partnerët tanë. Në këtë kontekst, Berisha ka kërkuar që Ministria e Mbrojtjes së Hungarisë të angazhohet dhe të jap kontributin e saj në këtë drejtim përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për MFSK/FSK-në.

Ndërsa ministri hungarez i Mbrojtjes, Tibor Benko, ka përgëzuar ministrin Berisha për të arriturat e deritanishme dhe ka konfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim dhe thellim të marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve homologe.

“Ne kemi gatishmërinë që edhe më tutje të jemi prezentë me trupat tanë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Kemi qenë një ndër shtetet e para që kemi njohur pavarësinë e Kosovës dhe po vazhdojmë të kontribuojmë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë me një numër prej 400 ushtarësh në KFOR”, ka thënë Benko.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e tetë në Ligën e Femrave do të sjell…